E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
E besuara e Ermal Beqirit në SPAK për jahtin
Flash

E besuara e Ermal Beqirit në SPAK për jahtin

SPAK thellon hetimet për dosjen e AKSHI-t, thirret për deklarime Xhenila Tamizi

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka vijuar veprimet hetimore në kuadër të dosjes së AKSHI-t, që lidhet me dyshime për afera korruptive, pastrim parash dhe përfshirje në grup të strukturuar kriminal.

Këtë të enjte, organi i akuzës ka thirrur për të dhënë deklarime shtetasen Xhenila Tamizi, e identifikuar në dosje si vartëse e biznesmenit në arrati Ermal Beqiri. Sipas burimeve hetimore, Tamizi pritet të japë shpjegime lidhur me disa transaksione financiare dhe pasuri të dyshuara që lidhen me Beqirin.

Nga verifikimet e kryera rezulton se në emër të saj është regjistruar pronësia e një jahti luksoz, tip “Predator 50 Skyfall”, i cili dyshohet se kontrollohej faktikisht nga Ermal Beqiri. Mjeti lundrues është sekuestruar nga SPAK dhe aktualisht ndodhet i ankoruar në portin e Durrësit, në pritje të përfundimit të procedurave hetimore.

Roli i Tamizit në “Soft & Solutions”

Nga aktet e dosjes hetimore rezulton se Xhenila Tamizi ka qenë e punësuar në shoqërinë “Soft & Solutions” sh.p.k., kompani në qendër të hetimeve për tenderat e AKSHI-t. Sipas dëshmive të personave të marrë në pyetje, ajo kryente intervista pune dhe trajnonte punonjësit e rinj që rekrutoheshin për kompaninë.

Të gjithë punonjësit e pyetur kanë deklaruar se janë intervistuar nga Tamizi, e cila gjithashtu shpallte fituesit e pozicioneve të punës dhe i njoftonte për përzgjedhjen. Pas një periudhe stazhi, ata nisnin zyrtarisht punën.

Megjithatë, kontratat e punës nuk lidhej me “Soft & Solutions”, por me një shoqëri tjetër, konkretisht “EA Solutions” sh.p.k.

Dyshimet për kompani fiktive

Sipas SPAK, ekzistojnë prova që sugjerojnë se “EA Solutions” është themeluar në mënyrë fiktive me qëllim kanalizimin e pagesave të përfituara nga “Soft & Solutions” drejt shtetasit Ergys Agasi.

Nga tërësia e shpjegimeve të dhëna nga punonjësit, hetuesit kanë arritur në dyshimin e arsyeshëm se “EA Solutions” nuk ka realizuar asnjë shërbim real, ndërsa aktiviteti i saj rezulton formal. Sipas dosjes, punët dhe shërbimet e faturuara nga kjo shoqëri dyshohet se janë kryer në fakt nga punonjës të “Soft & Solutions”.

Në këtë kontekst, edhe faturimet dhe blerjet e shërbimeve nga palë të treta përmes “EA Solutions” dyshohet se janë fiktive, duke ngritur dyshime për një skemë të strukturuar për zhvendosje fondesh dhe fshehje përfitimesh.

Hetimet vijojnë, ndërsa SPAK po verifikon qarkullimin e fondeve, pronësinë reale të pasurive dhe rolin konkret të personave të përfshirë në këtë skemë të dyshuar.

 

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.