E pranishme edhe Balluku, zbulohen porositë e Ramës për socialistët
Nën drejtimin e kryeministrit dhe njëherazi kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama, Kryesia e PS zhvilloi një mbledhje të shkurtër, që zgjati rreth 30 minuta dhe u fokusua kryesisht te riorganizimi i strukturave dhe intensifikimi i takimeve në terren.
Burime nga selia rozë bëjnë me dije se në takim nuk u caktua një datë për mbledhjen e Asamblesë Kombëtare, ndërsa theksi u vendos te mobilizimi i strukturave vendore dhe zgjedhjet në degët e partisë. Rama ka kërkuar angazhim më të madh në terren dhe kontakte të drejtpërdrejta me elektoratin në të gjithë vendin.
Në mbledhje ishte e pranishme edhe Belinda Balluku, e cila pak ditë më parë u shkarkua nga detyra si zëvendëskryeministre dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë. Ndaj saj, Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka kërkuar autorizim për arrestim, pasi është vënë zyrtarisht nën akuzë për çështje që lidhen me tendera publikë.
Ndryshimet në qeveri dhe procedura kushtetuese
Takimi i Kryesisë vjen pas mbledhjes së Grupit Parlamentar të PS, ku u prezantuan ndryshime të rëndësishme në kabinetin qeveritar. Rama ka propozuar zëvendësimin e Ballukut me Albana Koçiu, e cila pritet të lërë drejtimin e Ministrisë së Brendshme.
Vakanca në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë do të plotësohet nga Enea Karakaçi, deri më tani drejtues i Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike.
Ndryshime ka edhe në diplomaci: Elisa Spiropali largohet nga posti i Ministres së Punëve të Jashtme dhe zëvendësohet nga diplomati i karrierës Ferit Hoxha, me eksperiencë në përfaqësitë shqiptare në OKB dhe BE.
Në Ministrinë e Drejtësisë do të emërohet Toni Gogu, ndërsa Besfort Lamallari rikthehet në Ministrinë e Brendshme, këtë herë në drejtimin e saj. Portofoli për Marrëdhëniet me Parlamentin do t’i besohet Erjona Ismaili.
Po ashtu, në Ministrinë e Mbrojtjes, Pirro Vengu zëvendësohet nga Ermal Nufi, aktualisht zv.Sekretar i Përgjithshëm i Kryeministrisë.
Një ditë më parë, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, priti në takim Ramën në Pallatin e Brigadave, ku iu paraqitën zyrtarisht propozimet për shkarkimet dhe emërimet e reja. Sipas procedurës kushtetuese, Kreu i Shtetit ka 7 ditë afat për dekretimin e tyre. Më pas, ndryshimet kalojnë për votim në Kuvend, ku nevojiten të paktën 71 vota. Pas votëbesimit, ministrat e rinj betohen para Presidentit për të marrë zyrtarisht detyrën.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



