E shkarkuan nga Bashkia, zbulohet lëvizja e rradhës e Veliajt
Mbrojtja ligjore e Erion Veliajt po përgatit një kërkesë zyrtare për ta çuar çështjen e shkarkimit të tij nga drejtimi i Bashkisë së Tiranës në Gjykatën Kushtetuese. Detaje të padisë janë siguruar nga gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha.
Në argumentet kryesore të kërkesës, thuhet se vendimi për shkarkimin e Veliajt është antikushtetues, pasi është bazuar vetëm në nenin 62 të ligjit për vetëqeverisjen vendore, duke anashkaluar nenin 115 të Kushtetutës – i cili sipas mbrojtjes, është i vetmi burim kushtetues për ndërprerjen e mandatit të një kryetari bashkie.
“Shkarkimi pa një shkelje të rëndë, të provuar, është i paligjshëm. Neni 62 i ligjit duhet të interpretohet në përputhje me nenin 115 të Kushtetutës, jo në shkëputje prej tij,” thuhet në padi.
Më tej, në argumentim theksohet se çdo tentativë për të përdorur ligje të zakonshme si bazë për të shmangur normat kushtetuese përbën një precedent të rrezikshëm dhe minon funksionin e Kushtetutës si akt suprem juridik.
“Kjo e kthen Kushtetutën në një dokument deklarativ, duke rrezikuar jo vetëm shtetin e së drejtës, por edhe vetë parimin e autonomisë vendore,” argumenton mbrojtja.
Në fund të padisë, theksohet se Këshilli i Ministrave ka cituar si bazë ligjore nenin 100 të Kushtetutës dhe nenin 62 të ligjit për vetëqeverisjen vendore, pa përfshirë nenin 115 – që përcakton rastet specifike për shkarkim. Për këtë arsye, padia kërkon shfuqizimin e vendimit si antikushtetues dhe tejkalim i kompetencave.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



