E hënë, 19 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
E zbulon Artan Hoxha: Ju tregoj si dhe ku u njohën Vlora Hyseni me Ergys Agasin
Lajme

E zbulon Artan Hoxha: Ju tregoj si dhe ku u njohën Vlora Hyseni me Ergys Agasin

Gazetari zbardh prapaskenat e SHISH

Gazetari Artan Hoxha ngre pretendime të forta për mënyrën e funksionimit të SHISH-it gjatë drejtimit të Vlora Hysenit dhe tregon si, sipas tij, nisi lidhja mes Hysenit dhe Ergys Agasit.

Një nga pjesët më të forta të intervistës së gazetarit Artan Hoxha në emisionin “Kjo Javë” lidhet me mënyrën se si, sipas tij, funksiononte drejtimi i Shërbimit Informativ Shtetëror gjatë periudhës kur në krye të institucionit ishte Vlora Hyseni.

Hoxha pretendoi se Hyseni kishte shmangur strukturën standarde të drejtimit të institucionit dhe kishte krijuar një rreth të ngushtë bashkëpunëtorësh. Në vijim të intervistës, ai foli edhe për ardhjen e Hysenit nga Kosova në Shqipëri, marrjen e shtetësisë shqiptare, rolin e saj pranë kryeministrit Edi Rama dhe raportin e saj me Ergys Agasin.

Pretendimet e Hoxhës janë deklarata të bëra prej tij gjatë intervistës dhe duhen dalluar nga faktet e provuara ose të konfirmuara nga institucionet. Çështja Hyseni–Agasi është aktualisht pjesë e zhvillimeve dhe hetimeve që kanë tërhequr vëmendje të gjerë publike.

“A e ka prishur gjithë strukturën e drejtimit të shërbimit informativ?”

Hoxha e nisi këtë pjesë të intervistës duke iu referuar të shkuarës së Vlora Hysenit në Kosovë dhe mënyrës se si ajo u vendos më pas në strukturat shtetërore shqiptare.

“Vlora Hyseni ka bërë dëmin që ka bërë. E di çfarë ka bërë ajo? A e ka prishur gjithë strukturën e drejtimit të shërbimit informativ dhe çfarë ka ndodhur? Kur them e ka prishur… Pra, ta themi: ajo, kur erdhi nga Kosova këtu, ajo në Kosovë ishte e propozuar nga ish-kryeministri Haradinaj dhe e firmosur nga presidenti Thaçi si nëndrejtore e AKI-së, Agjencia e Inteligjencës së Kosovës. Pra ajo ishte nëndrejtoreshë numër dy. Pra, nga dhjetori i 2020-s deri në prill 2021, pra për pesë muaj, ajo ka qenë e komanduar si drejtore e komanduar.

Në momentin që vjen presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti, ata e lirojnë nga detyra, po edhe si drejtore e komanduar, edhe si nëndrejtore e emëruar, dhe ajo ngelet në radhët e shërbimit. Dy muaj më mbrapa ajo ka dhënë dorëheqjen. Pra ajo nuk është shkarkuar si punonjëse e shërbimit, por nga detyra që ka pasur ajo largohet nga Kosova dhe vjen në Shqipëri. Kur vjen në Shqipëri, ka një nga elementët që duhet të jetë, është që ajo të ketë qenë dhjetë vjet shtetase shqiptare në dhjetë vitet e fundit. Ajo ka marrë një pasaportë në 2016.”, tha ai.

Nisida Tufa: Pra ajo është shtetase e Republikës së Shqipërisë, në mos gaboj, me dekret të presidentit Bujar Nishani?

Hoxha: “Si e përfitoi ajo?”

Në vijim, gazetari ngriti pikëpyetje mbi mënyrën se si, sipas tij, Hyseni kishte përfituar shtetësinë shqiptare, duke pretenduar se emri i saj kishte qenë pjesë e një liste të ardhur nga shërbimi sekret i Kosovës.

Artan Hoxha: Dhe jo vetëm. Shumë interesante, se është një element që nuk ka dalë. Po atëherë si e mori ajo? Se ajo ishte agjente e shërbimit të Republikës së Kosovës. Si përfitoi ajo nga shërbimi sekret i Kosovës? I ka ardhur një listë me 10 emra shërbimit sekret të Shqipërisë dhe i është kërkuar që këta 10 emra të pajisen me shtetësi shqiptare. Mes këtyre 10 emrave është dhe zonja. Tani, me sa di unë, zonja nuk ka banuar në Shqipëri. Atëherë unë bëj një pyetje: si e përfitoi kjo? Se ligji ka përcaktuar qartë. Kjo ndërkohë është e regjistruar në një banesë fiktive, sikur ka jetuar aty.

Nisida Tufa: Po mirë, tani kush është personi që ka rekomanduar te Edi Rama Vlorën Hyseni për të ardhur këtu?

Artan Hoxha: Pra, kjo e ka përfituar këtë gjë… Domethënë, hapat janë ndjekur në rrugë ligjore. Duke qenë oficere e shërbimit të një vendi… Nuk mund të quhet Kosova vend mik, shtet tjetër shqiptar, atëherë sigurisht që për këtë ka pasur prioritet.

Por them: ajo nuk ka banuar në Tiranë. Banesa është fiktive ku është regjistruar ajo, është fiktive. Tani, duke parë pasaportën e Shqipërisë që nga ajo kohë, kryeministri Rama, nuk e di, nuk dua të hyj te spekulimet. Kam goxha spekulime, por nuk dua të hyj se nuk e kam verifikuar qartë që është kështu. Dhe pikë. E merr si këshilltare të sigurisë dhe, përveçse këshilltare e sigurisë, e kalon në këshilltaren e cila merret me shërbim informativ, si të thuash, ai e parapërgatiti për ta çuar atje.

“Erdhi me vete me gjithë hard diskun”

Në pjesën tjetër të intervistës, Hoxha lidhi largimin e Hysenit nga Kosova me ardhjen e saj në Shqipëri dhe me informacionin që, sipas tij, ajo mund të kishte pasur në cilësinë e funksionares së inteligjencës.

Ai pretendoi se në vendimin e largimit nga Kosova kishte pasur edhe kufizime për përdorimin e informacionit sensitiv të marrë gjatë detyrës.

Po tani, kjo e larguar nga Kosova, në momentin që aty vjen një kryeministër i cili nuk i ka marrëdhënie të mirë me kryeministrin tonë, dhe në vendimin e largimit në Kosovë është specifikuar që ajo nuk mund t’i japë informacion që e ka mësuar për shkak të detyrës që ka pasur, i cili është informacion sensitiv për Republikën e Kosovës dhe që mund të dëmtojë interesat e Republikës së Kosovës, mes tyre të drejtuesit të Republikës së Kosovës. Pra, duke ardhur në Tiranë, praktikisht ajo ka ardhur me vete me gjithë hard diskun, çfarë kishte për Kosovën.

Hoxha: “Këtu janë njohur të dy bashkë”

Më tej, gazetari Artan Hoxha foli për periudhën kur Vlora Hyseni dhe Ergys Agasi, sipas tij, ndodheshin paralelisht në Kryeministri.

Sipas Hoxhës, pikërisht në këtë periudhë është krijuar njohja mes tyre.

Atëherë, çfarë ndodh në Tiranë? Kryeministri Rama, mbasi e mban si këshilltare, ndërkohë tek ajo task-forca që ka qenë aty, në të njëjtën kohë, paralel me zonjën Hyseni aty ku ka qenë dhe Ergys Agasi. Pra të dy ishin të deleguar në Kryeministri. Ky Agasi që sot i thonë biznesmen nuk ka qenë biznesmen maksimum. Këtu janë njohur të dy bashkë.

Nisida Tufa: Këtu janë njohur?

Artan Hoxha: Këtu janë njohur. Mund të ketë qenë kështu, çfarë të them unë, agjent marketingu në kompaninë e prodhimit të vezëve. Po nuk ka qenë biznesmen.

Nisida Tufa: Po aty janë njohur me njëri-tjetrin. Pra aty është lidhja e tyre.

Artan Hoxha: Më mbrapa Vlora Hyseni shkon në shërbim dhe Ergys Agasi emërohet koordinator. Pra nuk e ka detyruar njeri Ramën. Merr këto të dhëna, Rama merr këto… Merr këto të dhëna, merr këto propozime, t’i çojë, t’i ekzekutojë në vendime.

“Vendosja e saj në shërbim, çfarë ka ndodhur?”

Intervista vijoi me pyetjen se kush e kishte propozuar Hysenin për drejtimin e SHISH-it dhe nëse ekzistonte një person konkret që kishte ndërmjetësuar për këtë emër.

Nisida Tufa: Vendosja e saj në shërbim, çfarë ka ndodhur? A e di kush është propozuesi?

Artan Hoxha: Për mua nuk ka më vlerë sot. Për mua ka vlerë që Edi Rama ka bërë këtë gjë dhe s’mund të fshihet, sepse duke dashur të çojmë propozuesin, ne duket sikur heqim përgjegjësi nga Edi Rama. Përgjegjësi kryesor për këtë katrahurë dhe katastrofë që ka shteti sot është kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, është vendim ekskluziviteti. Dhe më mirë që ndodhi kështu, sepse kështu qytetarët do ta kuptojnë që është Edi Rama dhe nuk është më përgjegjësi personale. Jo, është përgjegjësi e kryeministrit.

Pretendimet e bëra nga Hoxha në studio janë pjesë e deklarimeve të tij dhe nuk përbëjnë, në vetvete, konstatime të verifikuara gjyqësisht. Ndërkohë, zhvillimet e fundit rreth Vlora Hysenit dhe Ergys Agasit kanë qenë pjesë e raportimeve të shumta mediatike dhe të procedurave të hetimit të SPAK.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.