E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
E zbulon avokati, ja pse videot intime +18 nuk janë bllokuar ende
Lajme

E zbulon avokati, ja pse videot intime +18 nuk janë bllokuar ende

Materialet intime ku shfaqet kompozitori Adrian Hila vijojnë të qarkullojnë në internet dhe në aplikacione komunikimi, ndërsa autoritetet kanë nisur hetimet për publikimin dhe shpërndarjen e tyre pa autorizim.

Çështja është bërë objekt i një hetimi kryesisht nga Policia, ndërsa debati është përqendruar edhe te mundësia e ndalimit të qarkullimit të materialeve në platformat online.

Avokati Ledio Braho, duke folur për aspektin juridik të rastit, ka theksuar se personat që u është cenuar privatësia mund t’u drejtohen institucioneve të drejtësisë për mbrojtjen e të drejtave të tyre.

Sipas Brahos, pengimi i qarkullimit të materialeve të tilla në internet paraqet vështirësi të mëdha teknike, veçanërisht kur ato publikohen fillimisht në faqe jashtë vendit dhe më pas shpërndahen përmes aplikacioneve të komunikimit.

“Bllokimi i videove është një histori shumë e komplikuar dhe është teknike. Besoj se kjo ka nevojë për një përgjigje teknike”, deklaroi Braho gjatë një interviste në emisionin “Terminal”.

Ai shtoi se, nga pikëpamja praktike, kontrolli i shpërndarjes bëhet edhe më i vështirë kur materialet kalojnë nga faqet online në aplikacione si WhatsApp.

Ndërkohë, disa ditë pas publikimit të materialeve, këngëtarja Eli Fara ka reaguar publikisht përmes një postimi në Instagram.

Fara shprehet se është e lënduar nga ngjarja, ndërsa thekson se nuk sheh arsye për t’u ndjerë e turpëruar. Sipas saj, përgjegjësia dhe turpi i takojnë personave që kanë realizuar regjistrimet dhe kanë cenuar privatësinë.

Këngëtarja ka deklaruar gjithashtu se çështjen do t’ia lërë në dorë drejtësisë, ndërsa u ka bërë apel qytetarëve të tregojnë njerëzillëk dhe të mos vijojnë me shpërndarjen e materialeve intime.

Në qendër të çështjes tashmë është pikërisht mënyra se si këto materiale janë siguruar, publikuar dhe shpërndarë, ndërsa hetimi pritet të përcaktojë përgjegjësit për cenimin e privatësisë dhe përhapjen e tyre.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.