E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
E zbulon ish-prokurori: Ja kush ishte gabimi që ekspozoi Ergys Agasin
Lajme

E zbulon ish-prokurori: Ja kush ishte gabimi që ekspozoi Ergys Agasin

Ervin Karanxha analizon arrestimin e Agasit dhe dyshimet për ndihmë gjatë qëndrimit në arrati: Kanë dalë hapur, kanë menduar se nuk i sheh kush

Tetë muaj pasi qëndroi në arrati, Ergys Agasi u arrestua në Durrës, ndërsa mënyra se si ai vijoi të lëvizte gjatë kohës që ishte në kërkim mund të ketë qenë një prej faktorëve që çoi në lokalizimin e tij.

Ish-prokurori Ervin Karanxha, i ftuar në emisionin “Të Pashoq”, u ndal te mënyra e sjelljes së Agasit gjatë periudhës së arratisë dhe te komunikimet që janë bërë pjesë e hetimit.

I pyetur nëse Agasi mund të ishte ndihmuar gjatë kohës që qëndronte në arrati, përfshirë edhe nga ish-drejtuesja e SHISH-it, Vlora Hyseni, Karanxha tha se një element i rëndësishëm për t’u parë është pikërisht mënyra se si personi në kërkim vijoi jetën e tij.

“Mendoj që nga bisedat del që komunikojnë dhe jo ‘si i kemi punët’, ‘mirë’, ‘shohim se si do shkojë’, por këtu është gabimi. Pra, një person në kërkim duhet ta kufizojë jetën e tij, qoftë daljet, qoftë nëpër klube, nëpër bare, sepse tashmë është në kërkim. Këtu ka bërë gabim, ka pasur një vetëbesim të tepruar”, u shpreh Karanxha.

Karanxha: Nuk është vetëm SHISH-i që mund të kryejë vëzhgime

Sipas ish-prokurorit, një prej gabimeve të mundshme të Agasit dhe personave që lëviznin me të ishte bindja se mund të qëndronin në ambiente publike dhe të lëviznin pa u diktuar.

Karanxha theksoi se vëzhgimi dhe gjurmimi i personave në kërkim nuk është ekskluzivitet i Shërbimit Informativ të Shtetit.

Ai përmendi në këtë kontekst edhe strukturat hetimore të SPAK-ut dhe BKH-së, duke nënvizuar se oficerët e Policisë Gjyqësore kanë kompetenca për kryerjen e veprimeve të ndryshme hetimore.

“Ka dhe agjenci të tjera ligjzbatuese, nuk është vetëm SHISH-i. Madje, po të vësh re, në fund të deklaratës SPAK-u thotë: ‘Falënderojmë Policinë e Shtetit për zbatimin e masave’. SPAK-u vetë ka agjentë, ka oficerë të Policisë Gjyqësore pranë BKH-së që kanë të drejtë të bëjnë vëzhgime”, deklaroi ai.

Në këtë këndvështrim, sipas Karanxhës, fakti që Agasi vijoi të shfaqej në ambiente dhe të lëvizte hapur mund të ketë krijuar mundësi për dokumentimin e lëvizjeve të tij.

“Kanë menduar se nuk i sheh kush”

Ish-prokurori e përmblodhi arsyetimin e tij te mënyra se si Agasi dhe personat që e shoqëronin vijuan të lëviznin.

Sipas tij, ekspozimi në ambiente publike ka qenë një gabim i rëndësishëm, pasi personat që kryenin ndjekjen mund t’i kishin identifikuar dhe dokumentuar lëvizjet e tyre.

“Ata kanë dalë hapur. Këtu është gabimi i tyre, që kanë menduar se nuk i sheh kush, por ndërkohë i kanë parë dhe është i dokumentuar fakti”, tha Karanxha.

Deklaratat e ish-prokurorit vijnë në një moment kur hetimi ndaj Agasit dhe personave të tjerë të përfshirë në dosje ka nxjerrë në pah edhe komunikime dhe lëvizje të periudhës kur ai ndodhej në kërkim.

Agasi u arrestua në Durrës pas muajsh në arrati

Ergys Agasi ishte shpallur në kërkim që prej dhjetorit 2025 dhe u arrestua në Durrës pas disa muajsh qëndrimi jashtë duarve të autoriteteve.

Sipas të dhënave të bëra publike pas operacionit, ai u lokalizua teksa lëvizte në aksin Elbasan-Durrës.

Në momentin e arrestimit, Agasi shoqërohej nga ish-punonjësi i Policisë së Shtetit, Uljan Shpataraku.

Arrestimi i tij u bë në kuadër të zhvillimeve të hetimit të SPAK-ut, ku në fokus janë dyshime për veprimtarinë e një grupi të strukturuar kriminal dhe përfshirjen e personave të ndryshëm në skemën që po hetohet.

Ndërkohë, pyetja nëse Agasi ka marrë ndihmë gjatë periudhës së arratisë dhe nëse persona të tjerë kanë kontribuar në shmangien e kapjes mbetet pjesë e çështjeve që po shqyrtohen nga organet e drejtësisë.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.