Edi Rama: Dua Lipa pëlqen protestën, mua më pëlqen Dua Lipa
Kryeministri Edi Rama ka komentuar mbështetjen e këngëtares me origjinë shqiptare Dua Lipa për protestat e zhvilluara në Shqipëri, duke e marrë me tone të lehta dhe duke deklaruar se edhe ai e pëlqen këngëtaren.
Gjatë një prononcimi, Rama tha se nuk sheh kontradiktë mes qëndrimeve të ndryshme dhe se mbështetja e Dua Lipës për protestën nuk ndryshon vlerësimin e tij për të.
“Ajo është krenare për protestën, unë jam krenar për të, është e thjeshtë”, u shpreh Rama, duke shtuar se zhvillimi dhe ruajtja e asaj që ekziston mund të bashkëjetojnë.
Më tej, kryeministri iu referua drejtpërdrejt këngëtares me një batutë:
“Duas i pëlqen protesta, mua më pëlqen shumë Dua. Ajo është këngëtare”, tha Rama.
Në vijim të deklaratës së tij, Rama foli edhe për ndryshimet që, sipas tij, ka pësuar Shqipëria ndër vite, duke e lidhur situatën e sotme me protestat dhe lirinë për të shprehur qëndrime të ndryshme.
“Jam krenar për vendin tim dhe atë çfarë kemi bërë. 10 vjet më parë askush nuk do më ftonte në Euronews, kishte edhe më shumë gjasë që protestuesit të vriteshin në bulevardin ku dalin çdo natë. Më është dashur të jetoj me humbjen e jetës së njerëzve që dolën me mua të protestojnë. Fakti që kemi protesta sot është shumë mirë”, deklaroi kryeministri.
Mbështetja e Dua Lipës për protestat është bërë pjesë e debatit publik në Shqipëri, ndërsa Rama ka argumentuar se qëndrimet e ndryshme mund të bashkëjetojnë dhe të diskutohen përmes dialogut.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



