E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
“Edi Rama ka bërë çmos që të mos fitoje zgjedhjet”
Lajme

“Edi Rama ka bërë çmos që të mos fitoje zgjedhjet”

Si reagoi Albin Kurti ndaj pyetjes ‘me spec’ për kryeministrin?

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka hedhur poshtë zërat sipas të cilëve kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, do të kishte ndërhyrë ose ndikuar që ai të mos dilte fitues në zgjedhjet e 28 dhjetorit.

Gjatë daljes së tij të parë publike përballë mediave pas publikimit të rezultateve paraprake, Kurti u shpreh se nuk ka dijeni për veprime të tilla dhe theksoi se marrëdhëniet mes Kosovës dhe Shqipërisë mbeten të qëndrueshme dhe bashkëpunuese, pavarësisht se kush është në krye të qeverisë në Tiranë.

Ai nënvizoi se mes dy vendeve ekziston një bashkëpunim konkret dhe i vazhdueshëm, duke përmendur dhjetëra marrëveshje të nënshkruara ndër vite, përfshirë edhe ato në fushën e arsimit dhe ekonomisë. Sipas Kurtit, Shqipëria është një partner kyç për Kosovën, si në aspektin tregtar, ashtu edhe në harmonizimin e politikave arsimore për shqiptarët kudo që ndodhen.

“Ne bashkëpunojmë me Republikën e Shqipërisë, me cilëndo qeveri që është aty, kemi 58 marrëveshje me Kryeministrin Rama. Unë nuk jam në dijeni të atyre akuzave që thatë ju, por jemi të interesuar që afrimi me Shqipërinë të rritet gjithnjë e më shumë. Kemi abetaren e unifikuar nga viti 2021 e këtej, kemi kurrikulat e unifikuara për bashkatdhetarët tanë në botë dhe e kemi Shqipërinë partnerin kryesor tregtar në rajon”, u shpreh Kurti.

Duke iu referuar rezultatit zgjedhor, Kurti e cilësoi fitoren si më të rëndësishmen që ka njohur vendi deri më tani. Ai tha se ky verdikt i qytetarëve është një sinjal i qartë për vazhdimin pa vonesa të projekteve qeverisëse, sapo rezultati të certifikohet zyrtarisht.

Njëkohësisht, Kurti u bëri thirrje forcave opozitare që të angazhohen në bashkëpunim institucional në Kuvend, veçanërisht për çështjet që lidhen me marrëveshjet ndërkombëtare, legjislacionin dhe interesin publik. Ai theksoi se fitorja i përket të gjithë qytetarëve dhe se rezultati aktual është në rrugë për të tejkaluar edhe rekordin e zgjedhjeve të 14 shkurtit 2021.

“Ftoj nga tani partitë opozitare për bashkëpunim në Kuvend për marrëveshjet ndërkombëtare, për ligjet e mira dhe për interesin publik të qytetarëve të Republikës. Edhe një herë urime, secilit pa dallim, fitoren historike, që është në rrugë të mbarë të tejkalojë edhe 14 shkurtin 2021. Ishte një ditë e gjatë përveçse e bukur dhe e rëndësishme”, shtoi ai.

Sipas të dhënave paraprake të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje ka dalë forcë e parë në zgjedhjet e parakohshme të mbajtura të dielën, duke siguruar 49.79 për qind të votave. Pas saj renditen Partia Demokratike e Kosovës me 21.19 për qind, Lidhja Demokratike e Kosovës me 13.77 për qind dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 5.74 për qind.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.