Edi Rama në panik, nxjerr fadromat për të ‘zhveshur’ bulevardin
Fadromat kanë ndërhyrë paraditen e kësaj të diele në bulevardin përpara Kryeministrisë, duke hequr gurët e trotuareve, pas disa ditësh protestash të shoqëruara me tensione dhe përplasje mes qytetarëve dhe policisë.
Ndërhyrja në terren vjen në një moment të ndjeshëm, kur pritet vijimi i protestave dhe kur kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar një qëndrim më të ashpër ndaj protestuesve që i cilësoi si “grup i zjarrit”.
Në komunikimin e tij të publikuar në rrjetet sociale, Rama foli për vijimin e angazhimit të forcave speciale RENEA në përballjen me protestuesit, duke sinjalizuar se autoritetet nuk parashikojnë të tërhiqen nga qasja e ndjekur gjatë ditëve të fundit.
Ndërkohë, pamjet nga bulevardi tregojnë mjetet e rënda duke hequr gurët që ndodhen në trotuar, të cilët janë përdorur gjatë përplasjeve të fundit me policinë.
Ndërhyrja ndryshon kushtet fizike të zonës ku zhvillohen protestat, ndërsa mbetet për t’u parë se si do të ndikojë në zhvillimet e mëtejshme përpara godinës së Kryeministrisë.
Pamjet e fadromave dhe heqjes së gurëve vijnë në sfondin e tensioneve të ditëve të fundit, kur përplasjet mes protestuesve dhe forcave të rendit kanë nxitur reagime të shumta publike dhe shqetësime për mënyrën e menaxhimit të tubimeve.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



