E mërkurë, 21 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Edi Rama: Për dënime nën 5 vite, nuk do të caktohet arrest me burg
Lajme

Edi Rama: Për dënime nën 5 vite, nuk do të caktohet arrest me burg

Kryeministri Edi Rama ka prezantuar disa nga ndryshimet e propozuara në Kodin e Procedurës Penale, duke kërkuar që burgimi i të dyshuarve të përdoret vetëm si masë e fundit e sigurisë.

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se arresti me burg duhet të jetë masa e fundit që gjykata vendos ndaj një personi nën hetim, ndërsa ka bërë të ditur një nga ndryshimet e propozuara në kuadër të reformimit të legjislacionit penal.

Sipas Ramës, për veprat penale që parashikojnë një dënim maksimal nën 5 vite burg, masa e arrestit me burg nuk do të caktohet.

Në prezantimin e ndryshimeve të propozuara në Kodin e Procedurës Penale, kryeministri tha se procesi duhet të nisë nga liria dhe se gjykata duhet të shqyrtojë fillimisht alternativat më të buta të masave të sigurisë, përfshirë arrestin në shtëpi.

“Procesi penal duhet të nisë nga zona e lirisë dhe jo nga burgu si zanafillë. Gjykata duhet të nisë nga liria, të shqyrtojë masat më të buta, të vlerësojë arrestin në shtëpi dhe të arrijë te burgu vetëm kur çdo alternativë tjetër është e pamjaftueshme”, deklaroi Rama.

Ai theksoi gjithashtu se heshtja e personit nën hetim apo mospranimi i akuzës nuk duhet të konsiderohen si tregues të rrezikshmërisë.

“Për veprat me dënim maksimal nën 5 vjet, nuk do të caktohet më arrest me burg. As heshtja e personit, as mospranimi i akuzës s’do të përdoren më si provë rrezikshmërie. Rreziku duhet të jetë konkret”, tha kryeministri.

Ndryshimet e propozuara parashikojnë gjithashtu që gjykata të kryejë një vlerësim të pavarur të rrethanave të çështjes. Sipas Ramës, nëse gjykata thjesht kopjon argumentet e prokurorit, vendimi do të konsiderohet i pavlefshëm dhe mund të lindë përgjegjësi disiplinore për gjyqtarin.

Një tjetër element i përmendur është edhe garancia pasurore, e cila sipas propozimit duhet të merret në konsideratë sa herë që caktohet masa e arrestit.

Ndërkohë, prokurori do të duhet t’i raportojë gjykatës nëse arsyet që kanë çuar në caktimin e masës së sigurisë vazhdojnë të ekzistojnë dhe t’i argumentojë ato.

Ndryshimet janë pjesë e procesit të hartimit të një Kodi Penal të ri dhe të ndryshimeve në Kodin e Procedurës Penale. Këshilli i Ministrave ka miratuar në korrik 2026 marrjen e masave për hartimin, konsolidimin dhe finalizimin e këtyre projektakteve në kuadër të procesit të integrimit evropian dhe reformimit të politikës penale.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.