Edi Rama tallet me votuesit fanatikë: Miliona euro e kulla për miqtë, qindarka për pensionistët
Naim Noka
Pasi e mbushi Tiranën me kulla që duken si të kopjuara nga një lojë legosh në mes të errësirës, kryeministri Edi Rama, ka vendosur të kalojë në nivelin e ardhshëm, nga arkitektura për elitat në arkitekturë për… burokracinë!
Dhe ja ku erdhi përsëri me një video të bukur, plot projekte madhështore që do të na shpëtojnë nga varfëria… e zyrave me qira! Kryeministri, me buzëqeshjen e tij karizmatike dhe emoji-n 😊 që s’e harron kurrë, na tregon se shteti do përfitojë duke ndërtuar komplekse administrative që do zgjidhin të gjitha problemet tona – po, sepse ky është problemi më i madh i Shqipërisë: zyrat me qira.
“Katër projekte gjigande që do të hidhen në garë të hapur,” thotë Rama, si një showman që prezanton një numër të ri në cirkun qeveritar. “Miliona euro të kursyera në vit!” – thotë ai, sikur ne s’kemi nevojë për shkolla, spitale, ose rrugë të asfaltuara, por për godina të reja për zyrtarët e kadastrës që mos t’u laget tavolina nga çatia që pikon!
Kullat e ‘Vizioni Shqipëria 2030’, një vizion aq i qartë saqë ne ende s’e dimë ku po shkojmë, por ama dihet që po ndërtojmë kudo! Ndoshta deri atëherë do e mbulojmë gjithë vendin me godina multifunksionale ku mund të administrohet çdo gjë, nga taksat e deri te parukeritë!
Qeveria e Edi Ramës vendos të falë miliona euro me një firmë të vetme për projekte si ato të famshme PPP-ve apo skandalet e njohura si Tigri 1 dhe Tigri 2 në Vlorë, çdokush e kupton se në Shqipërinë e sotme, prioriteti nuk janë qytetarët, por bizneset e lidhura ngushtë me pushtetin. Dhe ndërsa Rama u jep miliona kompanive të afërta për kulla me stadium, kulla me gjykatë, kulla me muze, kulla me kuvend dhe në fund ka ngel vetëm godina e kryeministrisë pa u bërë me një kullë.
Nuk e ka fare problem kur tallet hapur me 791 mijë pensionistët e këtij vendi, duke u rritur pensionin me një shifër qesharake – 7 euro në qytet dhe 4 euro në fshat. Ta mendosh se shumica e tyre janë votues fanatikë të PS dhe hambari i votave në zgjedhje.
Në një vend ku inflacioni shkatërron fuqinë blerëse të qytetarëve të thjeshtë, qeveria vendos t’i “ndihmojë” pensionistët me një indeksim qesharak prej vetëm 4.1%. Vetëm një qeveri e shkëputur nga realiteti mund të mendojë se rritja e një pensioni urban me 752 lekë dhe e një pensioni rural me 453 lekë do t’i ndihmojë këta njerëz të përballen me kostot e jetesës që vazhdojnë të rriten çdo ditë.
Ndërkohë, për të kuptuar përmasat e ironisë, mjafton të kujtojmë tunelin e Llogarasë, një projekt që i tejkaloi kostot me 30 milionë euro më shumë sesa ishte parashikuar. Po, 30 milionë euro që paguhen me paratë e taksapaguesve, ndërsa pensionistët marrin thërrime. Ky është një skandal që nuk kërkon shumë mend për t’u kuptuar – është një tallje e hapur me njerëzit që kanë punuar një jetë të tërë dhe tani mbahen gjallë me qindarka.
Pensionistët nuk kanë nevojë për një indeksim simbolik. Ata kanë nevojë për një rritje të vërtetë të pensioneve, që të reflektojë realitetin e rritjes së çmimeve. Inflacioni për mallrat e shportës – ato që pensionistët blejnë për të mbijetuar – është një sfidë e përditshme. Ndërkohë, qeveria jep fonde pa fund për tendera të fryrë dhe projekte që përfundojnë duke shërbyer interesave private.
Ky nuk është një problem vetëm ekonomik, por një problem moral. Kur qeveria e një vendi zgjedh të shpërfillë më të dobëtit dhe të shpërblejë më të fuqishmit, ajo ka humbur drejtimin. Dhe kur miliona euro derdhen në PPP-të e dështuar dhe projekte skandaloze si Tuneli i Llogarasë apo Tigri 1 dhe Tigri 2, ndërsa pensionistëve u jepen qindarka, bëhet e qartë se kjo është një qeveri që ka zgjedhur të qeverisë për disa dhe jo për të gjithë.
Pensionistët shqiptarë nuk kanë nevojë për retorikë boshe, ata kanë nevojë për dinjitet. Dhe dinjiteti nuk vjen me një shtesë prej 4 eurosh në fshat apo 7 eurosh në qytet. Ai vjen me politika që mbrojnë të moshuarit nga varfëria, me një qeveri që zgjedh të investojë në njerëzit dhe jo në bizneset e miqve të saj. Të paktën respekto votën e tyre dhe bëj bamirësi sepse votën do të ta japin edhe po nuk u dhe 700 lekëshin.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



