Emri/ Ky është elektriçisti i OSHEE-së që humbi jetën në Himarë
Karakaçi u shpreh ngushëllimet familjarëve të të ndjerit
Ministri i Energjisë, Enea Karakaçi, ka reaguar pas humbjes së jetës së një elektricisti të OSHEE, i cili ndërroi jetë gjatë ndërhyrjes për rikthimin e energjisë elektrike në zonën e Himarës.
Në një mesazh publik, Karakaçi shprehu dhimbjen për ndarjen nga jeta të 54-vjeçarit Bashkim Boçi, duke theksuar se ai ishte një punonjës me përvojë të gjatë, pjesë e OSSH Elbasan që prej vitit 2000. Sipas ministrit, Boçi humbi jetën teksa ishte në krye të detyrës, duke punuar për riparimin e dëmeve të shkaktuara nga kushtet e pafavorshme atmosferike.
Ai vlerësoi përkushtimin dhe profesionalizmin e elektricistit, duke e cilësuar kontributin e tij si një shembull sakrifice në shërbim të qytetarëve. Ministri theksoi se pas çdo rikthimi të energjisë qëndrojnë punonjës që përballen me rreziqe të vazhdueshme, shpesh larg familjeve të tyre.
Në fund të reagimit, Karakaçi u shprehu ngushëllimet më të sinqerta familjarëve, të afërmve dhe kolegëve të të ndjerit, duke nderuar figurën e tij dhe kontributin e dhënë ndër vite në sektorin energjetik.
Postimi i plotë:
“Pas çdo rikthimi të energjisë, është kontributi i njerëzve që punojnë në kushte të rrezikshme, larg familjeve të tyre, për t’u shërbyer qytetarëve. Sot, një prej tyre nuk u kthye më.
Me dhimbje të thellë mora lajmin për humbjen e jetës së kolegut tonë, Bashkim Boçi, i cili ra në krye të detyrës, ndërsa ishte i angazhuar në riparimin e defekteve të shkaktuara nga moti i keq në zonën e Himarës.
Bashkimi ishte pjesë e OSSH Elbasan që prej vitit 2000 dhe e ushtroi detyrën me përkushtim dhe profesionalizëm deri në momentin e fundit.
Ngushëllimet më të sinqerta familjes, të afërmve dhe kolegëve të tij. Ndajmë dhimbjen me ta në këtë moment të vështirë dhe nderojmë me mirënjohje kontributin dhe sakrificën e Bashkim Boçit në shërbim të qytetarëve.
U prehtë në paqe”, shkruan Karakaçi.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



