EMRI/ Vetëdorëzohet në polici i shumëkërkuari nga SPAK
Nazmi Shahini, i njohur edhe me aliasin Drazhi, është vetëdorëzuar në polici pasi ishte shpallur në kërkim nga Prokuroria e Posaçme (SPAK), nën dyshimet për përfshirje në një grup të strukturuar kriminal që merrej me trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike.
Shahini u vu në pranga pas masës së sigurisë “arrest me burg” të caktuar në mungesë nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Sipas hetimeve të SPAK, ai dyshohet se ka qenë pjesë e një organizate kriminale që ka ushtruar aktivitet gjatë periudhës 2020-2021, duke trafikuar sasi të mëdha droge me destinacion tregjet europiane.
Nga hetimet rezulton se grupi kriminal ka trafikuar rreth 8.1 ton lëndë narkotike, përfshirë kokainë dhe kanabis, përmes një rrjeti ndërkombëtar të furnizimit dhe shpërndarjes.
Sasia e drogës dyshohet se transportohej nga vende të Amerikës Latine dhe Afrika e Veriut, si Brazili, Ekuadori, Kolumbia, Spanja dhe Maroku, ndërsa destinacionet kryesore ishin Italia, Belgjika, Holanda, Spanja dhe vende të tjera të Europës.
Arrestimi i Shahinit vjen në kuadër të hetimeve të SPAK për goditjen e rrjeteve kriminale që operojnë në trafikun ndërkombëtar të narkotikëve.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco




