E enjte, 22 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Ëndrra e llahtarshme e Edi Ramës
Lajme

Ëndrra e llahtarshme e Edi Ramës

Edi Rama kishte pasur një ditë të vështirë. Në Tiranë vazhdonin protestat dhe njerëzit kërkonin dorëheqjen e tij. Kishin dalë në rrugë studentë, pensionistë, punëtorë dhe qytetarë të zakonshëm, të cilët, për ndonjë arsye që kryeministri nuk arrinte ta kuptonte, nuk ishin të kënaqur me qeverisjen e tij.

Në mbrëmje, pasi kishte parë pamjet e protestës, zellin e policisë për t’i rrahur djemtë dhe vajzat e reja, kryeministri shkoi të flinte. Nuk kishte ndonjë shqetësim të jashtëzakonshëm. Protestuesit mund të vazhdonin të kërkonin dorëheqjen, për sa kohë që nga Fondi Rezervë i Këshillit të Ministrave mund të nxirrte sa herë të donte shpërblime për policët e vijës së parë.

Por nuk qe e thënë të flinte rehat. Një ëndërr e tmerrshme e bëri të mbulohej gjithë djersë dhe të vërtitej nëpër krevat. Pa sikur Sali Berisha kishte thirrur një konferencë të jashtëzakonshme shtypi. Ndryshe nga zakonisht, nuk po bërtiste dhe nuk po akuzonte askënd. Me një qetësi të pazakontë, deklaroi se kishte vendosur të jepte dorëheqjen nga drejtimi i Partisë Demokratike dhe të tërhiqej përfundimisht nga politika aktive.

Madje pranoi se pas kaq shumë vitesh kishte ardhur koha t’u hapej rruga njerëzve të rinj. Partia Demokratike do të organizonte zgjedhje të lira dhe ai nuk do të ndërhynte në zgjedhjen e pasardhësit.

Rama ndjeu një shqetësim në stomak. Berisha kishte bërë shumë deklarata të papritura gjatë karrierës së tij, por kjo ishte më e rënda. Të dëgjoje Sali Berishën të pranonte se një parti mund të ekzistonte edhe pa të ishte diçka që mund të shqetësonte çdo kryetar partie shqiptare me një karrierë të gjatë.

Por ëndrra vazhdoi. Partia Demokratike organizoi zgjedhje të lira. Kandidatët zhvilluan debate pa përdorur fjalët tradhtar, i shitur apo armik i demokracisë. Anëtarët votuan pa marrë udhëzime nga ish-kryetari dhe humbësit e uruan fituesin.

Kjo e fundit ishte pothuajse e pabesueshme. Në politikën shqiptare, të uroje fituesin pa krijuar më parë një parti të re ishte një zakon që rrezikonte të përhapej edhe në organizata të tjera politike.

Kryetari i ri i Partisë Demokratike ishte një burrë apo një grua, nuk arrinte ta shquante mirë në ëndërr, rreth të dyzetave, i shkolluar dhe me një biografi të pastër. Nuk kishte qenë pjesë e qeverive të mëparshme dhe nuk mbante përgjegjësi për vitin 1997, Gërdecin apo 21 Janarin.

Në konferencën e parë deklaroi se do të merrej me problemet e Shqipërisë dhe jo me mbrojtjen e historisë së drejtuesve të vjetër. Do të mbështeste kërkesat e protestuesve pa kërkuar të merrte drejtimin e tyre.

Në ëndërr protestat po zgjeroheshin. Qytetarë që nuk e mbështesnin Ramën, por që deri atëherë kishin qëndruar larg protestave nga frika e rikthimit të Berishës, filluan të bashkoheshin me to. Edhe policët filluan ta refuzonin shpërblimin.

Ëndrra vazhdoi duke thirrur urgjentisht këshilltarët në një mbledhje. Njëri propozoi të sulmohej kryetari i ri i opozitës për biografinë e tij, por nuk u gjet asgjë e përdorshme. Një tjetër sugjeroi t’u kujtohej shqiptarëve historia e Berishës, por të tjerët vunë në dukje se ai ishte larguar dhe nuk kandidonte më për asgjë.

Pastaj ëndrra kaloi në selinë e Partisë Socialiste. Disa anëtarë filluan të kërkonin zgjedhje të lira për kryetarin, kufizimin e mandateve dhe mundësinë që socialistët të kishin mendime të ndryshme pa u konsideruar kundërshtarë të partisë.

Rama mund të pranonte shumë gjëra, përfshirë edhe ekzistencën e një opozite të re, por mendimi se socialistët mund të fillonin të zgjidhnin vetë kryetarin e tyre ishte një zhvillim për të cilin askush nuk e kishte paralajmëruar.

Jashtë selisë protestat vazhdonin. Studentët kërkonin përgjegjësi për dhunën policore, qytetarët kërkonin ndryshime politike dhe nëpër sheshe dëgjoheshin thirrjet për dorëheqjen e kryeministrit. Edhe ata zyrtarët me maska dhe me hunj në dorë që i kishte thirrur të mbronin selinë, flakën hunjtë dhe u bashkuan me protestuesit.

Gjysmë në gjumë, gjysmë zgjuar, vendosi të kërkonte një takim privat me Sali Berishën. Në ëndërr e gjeti në një kafene, diku përballë Dajtit, me kavaletë dhe me një penel në dorë. Po pikturonte.

Rama u përpoq ta bindte të kthehej në politikë. I përmendi përgjegjësinë historike, detyrimin ndaj demokratëve dhe rrezikun që vendi të mbetej pa një udhëheqës me përvojën e tij. Madje i shpjegoi se Shqipëria nuk ishte ende e përgatitur për ndryshime kaq të papritura.

Berisha e dëgjoi me mirësjellje, por nuk ndryshoi mendje. I tha vetëm se nëse dëshironte, mund të pozonte për të dhe t’i bënte ndonjë portret.

Në atë çast, nga larg u dëgjuan thirrje të fuqishme: Rama në burg! Berisha në burg! Rama u zgjua i tmerruar.

Ishte i mbuluar në djersë. Rrëmbeu telekomandën dhe ndezi televizorin. Kishte vetëm një shqetësim: të mësonte nëse Sali Berisha kishte dhënë vërtet dorëheqjen.

Në ekran u shfaq një konferencë shtypi. Pas foltores qëndronte Sali Berisha, i zemëruar si zakonisht. Fliste me zë të lartë, tundte dorën dhe deklaronte se nuk kishte ndër mend të tërhiqej. Do të vazhdonte të drejtonte Partinë Demokratike dhe beteja e tij kundër Edi Ramës do të përfundonte vetëm me largimin e kryeministrit nga pushteti.

Rama ndjeu një lehtësim të jashtëzakonshëm. U mbështet në jastëk dhe vazhdoi ta ndiqte me kënaqësi konferencën. Kur Berisha premtoi se do të merrte përsipër drejtimin e protestave dhe do ta rrëzonte qeverinë me çdo kusht, kryeministri buzëqeshi i lumtur.

Atëherë iu kujtuan shpërblimet prej 2500 eurosh për policët e angazhuar kundër protestuesve. Pse të mos i jepte një shpërblim edhe Berishës? P.sh., mund t’i jepte aq sa i dha Kanye West për koncertin në Tiranë. Ose t’i jepte Berishës një shpërblim sa të gjitha shpërblimet e policëve, ato të marra së bashku.

Krahasimi ishte i arsyeshëm. Policët e ndihmonin qeverinë të përballonte protestuesit në rrugë, ndërsa Berisha, sa herë përpiqej të merrte drejtimin e protestës, e ndihmonte Ramën të largonte prej saj qytetarët që nuk donin rikthimin e tij. Për më tepër, policët punonin me turne, ndërsa Berisha ishte në shërbim njëzet e katër orë në ditë.

Rama e bëri përllogaritjen dhe vendosi të urdhëronte përgatitjen e shpërblimit të jashtëzakonshëm. Mbeteshin për t’u përcaktuar vetëm procedura dhe motivacioni zyrtar.

Një të thënë dhe një të bërë. Mori në telefon sekretarin e përgjithshëm të Këshillit të Ministrave dhe i tha të përgatiste urgjentisht një VKM.

Sekretari e dëgjoi me vëmendje dhe me qetësi i tha: “Zoti kryeministër! Do na e zënë shkelje dhe kështu duket sikur e komprometojmë doktorin. Unë mendoj që t’i japim leje ndërtimi për ndonjë fshat turistik, ndonjë autostradë apo ndonjë pallat sa një mal në Tiranë. Kështu jemi në rregull edhe me ligjin.”

Rama u mendua pak.

U tha, u bë!

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.