E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
“Ergys Agasi u tregoi institucioneve foton e Vis Martinajt të vrarë“
Lajme

“Ergys Agasi u tregoi institucioneve foton e Vis Martinajt të vrarë“

Elton Qyno dhe Artan Hoxha me deklarata të forta: Kështu fitoi besimin e Ramës

Gazetari Elton Qyno ka deklaruar se Ergys Agasi u ka treguar policisë dhe institucioneve të tjera fotografi që, sipas tij, provonin se Ervis Martinaj ishte vrarë.

Deklarata u bë në podcastin “MaShqip me Flamur Vezaj”, ku Qyno ishte i ftuar së bashku me gazetarin Artan Hoxha. Dy gazetarët diskutuan për fuqizimin e Agasit pas zhdukjes së Ervis Martinajt në gusht të vitit 2022.

Sipas Qynos, informacioni dhe materialet që dispononte Agasi mund të kenë mbërritur edhe te kryeministri Edi Rama dhe pikërisht pas kësaj periudhe, sipas tij, Agasi fitoi besimin e kreut të qeverisë.

Kjo histori ishte ngritur prej muajsh edhe nga mediat. Në një shkrim të publikuar më 21 mars 2026, pamfleti raportonte për ngritjen e Agasit pas zhdukjes së Martinajt dhe shkruante se persona pranë rrethit të tij flisnin për ekzistencën e një videoje me trupin e copëtuar të Martinajt.

Sipas informacionit të publikuar atëherë nga mediat, këtë material e dispononte një grup në Vlorë. Në shkrim ngrihej gjithashtu pyetja se si mund të qarkullonin detaje të tilla mes njerëzve pranë Agasit, ndërkohë që institucionet nuk kishin dhënë përgjigje përfundimtare lidhur me fatin e Ervis Martinajt.

Në podcast, Elton Qyno iu referua drejtpërdrejt fotografive që, sipas tij, Agasi ua kishte treguar institucioneve.

“Me foto u tregoi institucioneve se Ervis Martinaj është vrarë dhe për këtë mori gjithë besimin e Ramës”, tha gazetari, duke shtuar se Agasi mund t’ia ketë dërguar materialin edhe Vlora Hysenit.

Qyno e vendosi pikërisht në këtë periudhë edhe ndryshimin e pozicionit dhe fuqizimin e Agasit.

Nga ana tjetër, Artan Hoxha deklaroi se Agasi kishte nisur të merrte një rol më të rëndësishëm që në periudhën e çështjes së inceneratorëve, ndërsa pas gushtit 2022, sipas tij, pesha e tij u rrit më tej.

Hoxha e lidhi këtë ndikim me atë që e cilësoi si “imunitet” politik nga kryeministri dhe u shpreh se “imuniteti i Ergysit iu hoq po nga ata që ia vendosën”.

Sipas Hoxhës, Agasi mori më pas rolin e “koordinatorit” pas Vangjush Dakos, me mbështetjen e Ramës.

Gazetari foli edhe për fatin e Ervis Martinajt, duke deklaruar se është i bindur se ai është vrarë dhe se trupi i tij është zhdukur.

Hoxha tregoi se kishte shkuar te familja e Martinajt dhe se kishte folur publikisht për vrasjen vetëm pasi, sipas tij, ishte bindur se zhdukja nuk ishte një inskenim.

Deklaratat e dy gazetarëve rikthejnë në vëmendje edhe pyetjet e ngritura më herët lidhur me informacionet që qarkullonin për fatin e Martinajt.

Nëse fotografitë për të cilat flet Qyno u janë treguar vërtet policisë dhe institucioneve të tjera, mbetet pyetja se çfarë ndodhi me këto materiale dhe nëse ato janë administruar nga strukturat shtetërore.

Ndërkohë, sipas deklarimeve të Qynos dhe Hoxhës, Agasi kishte dijeni për atë që kishte ndodhur me Martinajn në një periudhë kur institucionet vijonin ta trajtonin zhdukjen e tij si një çështje të pazbardhur.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.