Erion Veliaj, i përmbytur me pasuri, i varfër si NJERI…?!

Xhevat Mustafa

Nga ankesat, kërkesat, deklarimet, zhgarravinat… si një qaraman histerik prej qelisë së paraburgimit, për t’u reklamuar ëngjëll e viktimë, Erion Veliaj, përveç urrejtjes dhe përbuzjes nga shumica e banorëve të Tiranës e në mbarë Shqipërinë, ka “përfituar” jo siç e ka ves e zakon, domethënë, me rrugë e forma korrupsioni, edhe breshëri me kritika, akuza, të shara, mallkime…! Edhe për atë si njeri, si kryebashkiak, si një nga krahët e djathtë të shumtë apo si “lokomotivë pa vagonë e pa tren” të Edi Ramës! Edhe për akuzat e hapura e pak më të përmbajtura ndaj prokurorit Olsi Dado, SPAK- ut, Berishës…, duke “harruar” se fajtorët kryesorë janë ai, dora vetë dhe Ajola! Apo se ai është viktimë e shumë “kokave” të veta dhe e “këputjes së zinxhirëve për t’i dhuruar firmat” si puthjet e dhuratat për Ajolën…!?

Në të kundërt, Olsi Dado e SHEFI i tij, Altin Dumani, të cilët Erion Veliaj i kritikoi edhe më 15 shkurt, për “fajin” se nuk kanë menduar për djalin e tyre e për gjyshet e tij, “duke harruar” se për fëmijën u takonte atyre si prindër të mendonin shumë më tepër, në të vërtetë meritojnë mirënjohje, nëse mendohet thellë e me gjakftohtësi, pa zemërim e inat hakmarrës! Edhe pa llogarinë që me “lotët e krokodilit” të zbusë e bëjë për vete e kundër SPAK- ut dhe GJKKO- së, sa më shumë zemra të dobëta, sidomos ato femërore!?

Për arsyen e parë, sepse kanë mbetur vetëm në majën e ajsbergut të fajeve të tij e të fakteve kundër tij!

Natyrisht, shumica e qytetarëve nuk kanë kursyer me kritika e sharje vendçe apo ndërmend si dhe nëpër dhëmbë, edhe bashkëshorten e tij, Ajola Xoxa për dëshirën dhe maniakërinë e çmendur për luks, sikur me qenë lind e rrit në një thesar sulltanor apo sheikor! Sidomos për faktin apo mëkatin bërë kodër e mal plehrash inceneratori se prej rreth 15 vitesh fejesë e martesë e ka pandehur dhe shfrytëzuar Erion Veliajn si “pronar të thesarit të Ali Babës” dhe bashkinë si “lum i gjallë” e përherë i mbushur deri në derdhje” për përfitime në euro, flori, bizhuteri, veshje të brendshme e të jashtme, parfumra, kremra, të kuqna…, bileta avionësh, celularë…!? Shumëkujt i ka shkuar ndërmend të pyesë në vetvete ose në tavolina lokalesh, miq e shokë!

– Moreni, çfarë lloj njeriu është ky Erion Veliaj…?! Korrupsioni i tij është shesheve, pallateve, kullave, rrugëve e rrugicave, shkollave, çerdheve e kopshteve…Por, edhe dosjeve mbush me leje ndërtimi e tendera; nëpër bordero në të cilat ka më shumë “emra fantazma” se zyrtarë ulur në karrige e tavolina pune?

Dhe, megjithatë, edhe pse nuk e mbulon dot me gjethet e gjithë fiqve të Beratit e të “1 milionë pemëve të mbjella shumica në letra”, ky ka paskrupullsinë dhe zë të aktrojë ëngjëllin e të pafajshmin…?! Si është e mundur që shpirti i tij të jetë si një gropë e thellë, një humnerë, një shkretëtirë, si një bllok akullnaje shtresëgjërë në pole pa ato ndjenja e njesi që e bëjnë njeriun NJERI…?! Sepse, ai nuk e ka fshehur dhe nuk e fsheh fare se i mungojnë njerzillëku, ndjeshmëria individuale e sociale; përgjegjshmëria funksionale dhe institucionale; ndërgjegja qytetare e kombëtare…? Edhe aftësia njerëzore për të ndjerë vrasje në ndërgjegje, pendesë, turp, bindjen e vullnetshme për reflektim e kthesë…?

Pra, djajtë, sidomos ata të kuq, rozë, krejt blozë…, mbeten deri në frymën e fundit…djaj!

Publikuar nga Publik Media