Erion Veliaj nën presion: Rama paralajmëron ulje të detyruar për ‘avionin’ e tij
Naim Noka
Ajo çka po ndodh mes Edi Ramës dhe Erion Veliajt është më shumë sesa një përplasje politike e brendshme. Është një telenovelë komplekse, ku çdo episod duket të jetë me plot kthesa dhe shantazhe të heshtura, por të qarta. Kryeministri Rama, një mjeshtër i manovrave të pushtetit, ka nisur lojën e tij të zakonshme me Veliajn, duke i kujtuar se ai nuk është imun ndaj fatit të shumë të tjerëve që kanë kaluar nëpër të njëjtin “tërren të minuar.”
Grija në fytyrën e kryebashkiakut të Tiranës ishte e dukshme kur, një javë më parë, Rama emëroi Elisa Spiropalin dhe Ogerta Manastirliun si drejtueset e qarkut të Tiranës, një pozicion që tradicionalisht Veliaj e kishte monopolizuar. Kjo lëvizje ka qenë një sinjal i qartë: Veliajt po i rrëshqet kontrolli. Dhe ndërsa Veliaj u përpoq të fshihte shqetësimin, Rama nuk ngurroi të ironizonte zellin e tij, duke e vënë në lojë për herë të disatë.
Në mbledhjen për ndarjen e detyrave të qarkut të Tiranës për strukturat e PS-së, Veliaj nuk e fshehu entuziazmin kur u shpreh: “Tani avioni im do të punojë me dy motorë.” Por Rama, me ironinë që e karakterizon, e frenoi shpejt: “Lali ka qejf avionin, po më mirë të rrijë tek lokomotiva. Se kur fluturon shumë lart, nuk i dihet si është ulja në pistë.”
Këto fjalë të Ramës nuk janë rastësore. Ato janë një paralajmërim i hapur se, pavarësisht besnikërisë që Veliaj përpiqet të tregojë, fati i tij varet tërësisht nga vendimet e kryeministrit. Ashtu siç Tahiri dhe Ahmetaj e provuan në të kaluarën, nuk mjafton të jesh pjesë e oborrit të Ramës për të qenë i paprekshëm. Me Arben Ahmetaj kryeministri kalonte thuajse shumicën e kohës dhe kishte marrëdhënie familjare por një ditë të bukur i mbylli telefonin dhe e degdisi në Zvicër si kandidat për azilant politik. Por nga ana tjetër të gjithë e dimë pikën e dobët që është miku për kokë, Alex Soros i Veliajt dhe i Ramës, që i mban akoma bashkë për 1001 arsye.
Edi Rama, në prag të zgjedhjeve, nuk ka luksin të krijojë përçarje të mëdha brenda partisë, ndaj prapa kuintave me prokurorët e SPAK-ut duket se ka një “mirëkuptim” për të falur kohën e procedimit. Rama po e mban Veliajn në një fije të hollë litari, edhe pse ky i fundit vazhdon të fluturojë me ëndrrën e tij për një ngritje më të lartë politike. Veliaj duhet të kujdeset mos t’i mbarojë karburanti përpara se të arrijë në pistë – një pistë që ndoshta do të jetë SPAK-u apo gjykata, nëse loja e pushtetit e Ramës shkon deri në atë pikë.
Ndoshta Rama po i fal kohën deri në zgjedhjet e majit 2025 dhe pastaj “piloti” i “5 drejtorëve” dhe inceneratorit të Tiranës do të zbresë nga ‘avioni elektoral’ për pak “pushim” si Saimir Tahiri apo Arben Ahmetaj.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



