Erion Veliaj shkarkohet nga posti i kryetarit të Bashkisë së Tiranës, vendimi kalon te qeveria
Këshilli Bashkiak i Tiranës vendosi sot të shkarkojë Erion Veliajn nga posti i kryetarit të bashkisë. Votimi erdhi në një mbledhje të jashtëzakonshme, ku rendi i ditës kishte vetëm një pikë: miratimin e projektvendimit për largimin e tij nga detyra.
Shkarkimi pason kërkesën e kryeministrit Edi Rama, i cili gjatë Asamblesë së Partisë Socialiste shpalli si kandidate për kryebashkiake të Tiranës ministren e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu.
Në fjalën hapëse, kryetarja e Këshillit Bashkiak, Megi Fino, deklaroi se me këtë vendim po kryhej një detyrim institucional.
“Sot ne po kryejmë detyrimin tonë, duke çliruar Tiranën prej ndalimit pa gjyq të kryetarit të bashkisë. Rend i ditës ka vetëm një pikë, projektvendimin për shkarkimin e Erion Veliajt,” tha ajo.
Në mbledhje munguan tre këshilltarë – Joleza Koka, Aldo Merkoçi dhe Gazment Paja – si edhe kryetarja në detyrë e bashkisë, Anuela Ristani.
Sipas procedurës ligjore, tashmë i takon Këshillit të Ministrave të marrë vendimin përfundimtar mbi shkarkimin. Megjithatë, neni 115 i Kushtetutës i jep të drejtën Veliajt ta ankimojë këtë vendim në Gjykatën Kushtetuese brenda 15 ditësh. Nëse ai bën ankimim, ekzekutimi i vendimit qeveritar pezullohet deri në përfundimin e shqyrtimit nga Gjykata.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



