Erjon Veliaj para drejtësisë

Fundi i paralajmëruar politik dhe roli i SPAK në qarkullimin e elitave

Genc Sejko

“Ekzistojnë të dhëna konkrete që anëtarë të ngushtë të familjes si dhe familjarë të tjerë të afërt me kryetarin e Bashkisë Tiranë, Erjon Veliaj, kanë marrë përfitime të paligjshme përmes disa shoqërive dhe individëve, të cilët kanë interesa të drejtpërdrejta në Bashkinë Tiranë…”. Ky është vetëm një nga argumentat që SPAK paraqiti para gjykatës së Posaçme, teksa kërkoi leje për të kontrolluar banesat dhe bizneset e bashkëshortes dhe vëllait të kryebashkiakut Veliaj si dhe t’u sekuestronte celularët. Kaq fjali të shqiptuara në një gjykatë do të mjaftonin në një vend normal që kryebashkiaku të dorëhiqej së paku deri në përfundim të hetimeve. Ndërsa media do ishte e fokusuar çdo ditë për të ditur së paku më shumë detaje për këtë skandal. Por në Shqipërinë tonë të zënë nga ethet për Parashqevi Simakun nuk ndodh as njera dhe as tjetra. Politika dhe pjesa dërrmuese e medias e kanë kaluar në heshtje atë çka po ndodh në përballjen e Erion Veliajt me drejtësinë.

Çështja bëhet dhe më e rëndë kur sheh se bashkë me Veliajn në aferën korruptive janë përfshirë dhe familjarë të tij:
“Nga hetimet janë evidentuar veprime konkrete, të cilat përfshijnë transaksione financiare, kontrata të dyshimta dhe fatura të dyshuara fiktive të realizuara përmes disa shoqërive, të cilat janë në pronësi të regjistruar ose që kontrollohen faktikisht nga familjarët e ngushtë dhe familjarë të tjerë të kryetarit të Bashkisë”, shton më tej SPAK.
Kontrollet në bizneset e Ajola Xoxës e Arbër Veliajt, si dhe bizneset në pronësi të miqve të tyre të ngushtë si Elman Abule apo gruaja e këtij të fundit Marisa Nito u kryen më 6 dhjetor.

E gjithë kjo histori që duhet të trondisë nga themelet politikën shqiptare po kalon thuajse në heshtje. Këtu pa dyshim luan ndikimi që Erjon Veliaj ka kryesisht mbi televizionet dhe portalet kryesore.
Edhe pse ngjarja u raportua dhe trajtua në mënyrë sipërfaqësore nga media dhe programet politike, kujdesi më i madh u tregua të theksohej “se iu sekuestrua celulari bashkëshortes së Veliajt” – duke tentuar të largonin përgjegjësinë nga kryebashkiaku.

Por, pavarësisht dyshimeve dhe hetimeve që po kryen SPAK për akuzën e korrupsionit, pyetja e madhe është; cili do të jetë fati politik i Erjon Veliajt? Duhet pranuar se ndikimi i tij është zbehur prej disa muajsh. Zërat se hetimet për drejtorët e tij më të afërt do preknin dhe vetë kryebashkiakun e detyruan Edi Ramën që ta largonte Veliajn nga drejtimi politik i Tiranës për zgjedhjet e majit të ardhshëm.
Edhe Veliaj duket të paktën në pamje të parë i braktisur nga kryeministri e për rrjedhojë edhe nga miqtë e bashkëpunëtorët e tij socialistë. Në Bashkinë e Tiranës, po fryjnë erëra të turbullta e të forta. Drejtorët kryesorë të institucionit janë nën akuzë për korrupsion për dosjen e njohur si afera “5D” ku zyrtarët e bashkisë kishin krijuar kompaninë në fjalë dhe merrnin tendera po nga institucioni. Një skandal i padëgjuar më parë, një formë e pështirë dhe e rrezikshme e korrupsionit, që patjetër ka dëmtuar rëndë imazhin e Erjon Veliajt dhe vënë në pikëpyetje edhe të ardhmen e tij në politikë.

Dikur yll në ngjitje dhe kandidati potencial për të pasuar Edi Ramën në krye të PS-së, sot Veliaj mbetet vetëm një numër brenda mazhorancës, pa ndikim dhe me imazh të dëmtuar rëndë. Vetëm pak vite më parë ai dhe Saimir Tahiri ishin në garë të ethshme për të siguruar vendin e “pasardhësit”. Por mesa duket fati dhe kryeministri vendosi që fundi i tyre të ishte i ngjashëm… në mos i njëjtë.

Por dhe vetë Rama duket se nuk do të mbetet pa “njollë” pas goditjes finale të Erjon Veliajt nga SPAK sepse e gjithë kjo do të ndikonte ndërkohë edhe në zgjedhjet parlamentare të 2025.
Erjon Veliaj “qeveris” 1 milion banorët e Tiranës dhe rënia e tij do të dobësonte ndjeshëm PS. Së dyti, imazhi i kryeministrit do të cënohej keqas, nëse SPAK e vë Veliajn nën akuzë, sepse vepra për të cilën ai dyshohet është e rëndë; korrupsion. Por më e rëndë është mënyra sesi dyshohet që krimi të jetë kryer. Dhe këtë herë nuk bëhet fjalë për mollë dhe dardha të ngrëna pas shpine, por për një grup të strukturuar që ka kryer korrupsion në ditën me diell. Se sa do të ndikojë çështja Veliaj tek kryeministri Rama dhe fushata e ardhshme mbetet për t’u parë. Ajo që dihet me siguri është që SPAK do apo nuk do, politika shqiptare po ndikon fuqishëm në skenën politike duke “spastruar” personazhet kryesore të përfshirë në korrupsion. Çka e shndërron prokurorinë e posaçme në forcën që po vendos ndryshimin e shumëpritur të elitave. Gjë që vetë politika nuk arriti ta bëjë dot kurrë këto 30 vjet./VNA

Publikuar nga Publik Media