Ermal Beqiraj merr nga Linda 7.6 MLN € të sistemit të Thesarit
Skema e re e Thesarit të Shtetit: Ballafaqimi i klaneve dhe kontrata 7.6 milionë euro që po ndizet në prapaskenë
Në skutat e errëta të prokurimeve publike po konsumohet një tjetër skemë e dyshuar korrupsioni me shijen karakteristike të “Rilindjes”. Këtë herë bëhet fjalë për projektin e përmirësimit të Sistemit të Thesarit të Shtetit, një kontratë me vlerë 7.6 milionë euro pa TVSH, që po kalon duart nga një klan në tjetrin – me bekimin e Linda Karçanajt dhe heshtjen e institucioneve mbikëqyrëse.
Në garë janë dyshen Ermal Beqiri dhe Gentian Lika, përkatësisht me kompanitë “Horizon” dhe “Communication Progress”, të cilët janë kualifikuar si fitues të pritshëm nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), me një vendim që po sfidohet në Komisionin e Prokurimit Publik (KPP) nga Gerond Meçe, ish-ortaku i Armand Frangut, baxhanak i kryeministrit Edi Rama.
Luftë klanesh për tenderin e Thesarit
ABS Advanced Business Solutions, kompania që ka marrë mbi 43 milionë euro nga shteti shqiptar përmes 800 transaksioneve publike, është skualifikuar këtë radhë. Meçe, i larguar pas denoncimeve të Arben Ahmetajt dhe nën hetim për përfitime të dyshimta nga tenderët sekretë, po përpiqet të ndalë skemën e re duke ankimuar procedurën.
Në ankesën e bërë më 19 qershor 2025, Meçe kërkon:
- Shfuqizimin e skualifikimit të ABS nga gara,
- Anulimin e kualifikimit të bashkimit të “Horizon” të Ermal Beqirit dhe “Communication Progress” të Gentian Likajt.

Por SPAK tashmë ka ndërhyrë dhe ish-kryetari i KPP-së, Jonaid Myzyri, është larguar nga detyra, duke zbehur shanset e Meçes për ta kthyer rezultatin.
Kush janë të përzgjedhurit e Karçanajt?
“Horizon” ka një histori të errët. KLSH në një auditim zbuloi se kompania nuk ka zbatuar kontratat, ndërsa AKSHI nuk i ka mbajtur as garancinë 117 milionë lekëshe. Ajo rezulton e lidhur me një kompani offshore në Qipro, “Comscope Limited”, me administratorë grekë dhe qipriotë, ndërsa sot është në pronësi të plotë të Ermal Beqirit, ish-drejtor IT në Hipotekë dhe këshilltar informatik në kabinetin e Edi Ramës.
Beqiri është personazh i njohur në skandalet e IT-së në Shqipëri: nga ekspertiza që shpëtoi Ilir Metën nga Gjykata e Lartë, te afera e serverit të Tatimeve, ku të dhënat u zhdukën dhe u përdorën nga të tretët. Më pas, ai mori kontrollin e “Soft & Solutions”, një tjetër kompani me miliona euro tenderë nga shteti, për të cilën KLSH ka konstatuar mangësi të rënda në zbatimin e kontratave.
Ndërsa Gentian Likaj, përmes “Communication Progress”, ka përfituar projekte strategjike, si platforma e-Transport për DPSHTRR me vlerë 2.2 milionë dollarë, edhe ky i kritikuar nga KLSH për probleme funksionale.
Nga ABS te “Horizon”: Thesari, si trofe i pushtetit
Ermal Beqiri dhe Gentian Lika janë furnizuesit e rinj të preferuar të pushtetit, ndërsa kompania e Meçes dikur instrument i padiskutueshëm i tenderëve sekretë është djegur si kartë pas hetimeve të SPAK dhe përgjimeve ambientale ku përmendet familja e kryeministrit. Ahmetaj ka deklaruar se përgjimet ekzistojnë dhe kopjet qarkullojnë jashtë kontrollit të AKSHI-t dhe SPAK-ut.
Tani loja ka ndryshuar. Thesari i Shtetit, një nga sistemet më të ndjeshme të financave publike, po kalon në duart e një tjetër klani, ku aksionet ndërrohen në heshtje, përmes offshore-ve në Qipro dhe partnerëve të padukshëm.
Një pyetje që shtrohet vetvetiu:
A do të lejojë shteti shqiptar që sistemi që menaxhon miliarda euro të vendoset nën kontrollin e njerëzve me histori të përlyera në aferat e IT-së? Apo gjithçka është bërë sipas skenarit të zakonshëm të “Rilindjes”, ku kontrolli mbi të dhënat dhe mbi buxhetin nuk është më teknik por politik?
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco


