Eurodemokratët krah Veliajt: Respektoni prezumimin e pafajësisë!
Grupi politik “Demokratët Evropianë” (EDP/PDE) në Parlamentin Evropian ka reaguar lidhur me çështjen e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili ndodhet në paraburgim prej më shumë se 550 ditësh.
Në deklaratën e tyre, përfaqësuesit e grupit shprehen se rasti i Veliajt ngre shqetësime serioze për gjendjen e demokracisë në Shqipëri. Ata u bëjnë thirrje autoriteteve shqiptare të garantojnë respektimin e shtetit të së drejtës, prezumimit të pafajësisë dhe parimit të proporcionalitetit.
Sipas deklaratës, Veliaj ndodhet në paraburgim që prej 10 shkurtit 2025, ndërsa akuzat zyrtare ndaj tij iu komunikuan në korrik të të njëjtit vit, pas 163 ditësh në paraburgim.
Grupi politik evropian i referohet gjithashtu një vendimi të Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, e cila ka rrëzuar një vendim të Gjykatës së Lartë dhe ka urdhëruar rishqyrtimin e masës së paraburgimit ndaj kryebashkiakut.
Sipas EDP/PDE, ky zhvillim ka ngritur pikëpyetje mbi proporcionalitetin e masës së sigurisë, veçanërisht në raport me mandatin e Veliajt si kryetar i zgjedhur i Bashkisë së Tiranës.
Në reagimin e tyre, “Demokratët Evropianë” theksojnë se lufta kundër korrupsionit dhe garantimi i një sistemi drejtësie të pavarur duhet të ecin paralelisht me respektimin e të drejtave themelore.
“Ne i bashkohemi thirrjes ndaj autoriteteve shqiptare që të respektojnë shtetin e së drejtës, prezumimin e pafajësisë dhe parimin e proporcionalitetit”, thuhet në deklaratë.
Grupi politik shprehet se do të vijojë ta ndjekë nga afër çështjen, duke e lidhur atë me perspektivën evropiane të Shqipërisë.
Sipas tyre, Shqipëria ka nevojë për një të ardhme evropiane që të jetë njëkohësisht demokratike dhe transparente, e angazhuar në luftën kundër korrupsionit, por edhe e mbështetur mbi një drejtësi të paanshme, të pavarur dhe në respekt të të drejtave themelore.
Reagimi i grupit “Demokratët Evropianë” vjen në një moment kur çështja e masës së sigurisë ndaj Veliajt vijon të jetë në qendër të debatit politik dhe juridik në Shqipëri.
Reagimi i plotë:
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ndodhet në paraburgim që prej 10 shkurtit 2025, prej pothuajse një viti e gjysmë. Akuzat zyrtare iu njoftuan vetëm në korrik 2025, pas 163 ditësh në paraburgim. Së fundmi, Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë rrëzoi një vendim të Gjykatës së Lartë dhe urdhëroi rishqyrtimin e masës së paraburgimit ndaj tij, duke vënë në pikëpyetje proporcionalitetin e saj në lidhje me mandatin e tij si kryetar i Bashkisë së Tiranës, i zgjedhur në mënyrë demokratike.
Ne i bashkohemi thirrjes ndaj autoriteteve shqiptare që të respektojnë shtetin e së drejtës, prezumimin e pafajësisë dhe parimin e proporcionalitetit. Ky rast vjen në një sfond thellësisht shqetësues për demokracinë shqiptare. Ne do të vazhdojmë ta mbajmë në vëmendje këtë çështje, sepse Shqipëria meriton një të ardhme evropiane – një të ardhme që të jetë plotësisht demokratike, transparente dhe e përkushtuar fort ndaj luftës kundër korrupsionit, duke garantuar njëkohësisht që drejtësia të ushtrohet gjithmonë me paanësi, pavarësi dhe respekt për të drejtat themelore.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco





