Filipinasit dhe indianët “pushtojnë” tregun e punës
Rekord punësimesh me të huaj në Shqipëri, bizneset mbushin boshllëkun e mungesës së fuqisë punëtore
Mungesa e fuqisë punëtore vendase po ndryshon me ritme të shpejta tregun shqiptar të punës. Bizneset në sektorët e shërbimeve, industrisë dhe bujqësisë po mbështeten gjithnjë e më shumë tek punonjësit e huaj për të përballuar mungesën e stafit.
Nga kamerierë, punonjës mirëmbajtjeje dhe operatorë prodhimi, deri te inxhinierë, kujdestarë fëmijësh dhe të moshuarish, prania e shtetasve të huaj në Shqipëri është rritur ndjeshëm gjatë vitit 2025.
Sipas të dhënave të Agjencisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive (AKPA), gjatë vitit 2025 janë miratuar online 18,156 kërkesa për punësimin e shtetasve të huaj, një rritje prej 43.4% krahasuar me vitin 2024. Nga këto, rreth 14 mijë ishin leje pune të dhëna për herë të parë, çka tregon fluksin në rritje të të huajve që po hyjnë në tregun shqiptar të punës.
Filipinet dhe India kryesojnë listën
Dy vendet që shënuan rritjen më të madhe të punësimeve janë Filipinet dhe India.
Secili prej tyre përbën 18% të totalit të kërkesave të miratuara nga AKPA. Konkretisht, gjatë vitit 2025 u miratuan 3,279 leje pune për shtetas filipinas dhe 3,251 për shtetas indianë, ku për indianët numri pothuajse u dyfishua krahasuar me një vit më parë.
Pas tyre renditen:
- Egjipti – 15% e kërkesave;
- Turqia – 9%;
- Kosova – 4%;
- Italia – 3%.
Si funksionon procedura
Sipas ligjit “Për të huajt”, shtetasit e vendeve të treta duhet të pajisen me Leje Unike, e cila përfshin lejen e punës, vizën dhe lejen e qëndrimit.
AKPA miraton vetëm pjesën që lidhet me punësimin, ndërsa vizat dhe lejet e qëndrimit miratohen nga institucionet përgjegjëse. Procesi përfundimtar realizohet nga Drejtoria e Kufirit dhe Migracionit pranë Policisë së Shtetit.
Kosova dhe Italia me procedura të veçanta
Statistikat tregojnë se shtetasit e Kosovës dhe Italisë nuk pasqyrohen plotësisht në numrin e lejeve të punës të miratuara nga AKPA, pasi për ta zbatohen rregulla të ndryshme.
Sipas Policisë së Shtetit, në vitin 2025 rreth 6,076 shtetas të Kosovës ishin të pajisur me leje qëndrimi në Shqipëri, ose 22% e të gjithë të huajve me leje qëndrimi, një rritje prej 32% krahasuar me vitin 2024.
Falë marrëveshjes mes Shqipërisë dhe Kosovës të nënshkruar në vitin 2022, qytetarët e Kosovës mund të marrin një leje biometrike 5-vjeçare, e cila shërben njëkohësisht si leje pune, përmes një procedure të thjeshtuar online.
Edhe shtetasit italianë përfitojnë nga statusi i tyre si qytetarë të Bashkimit Evropian. Ata nuk kanë nevojë për miratim të lejes së punës nga AKPA, por vetëm deklarojnë punësimin dhe gëzojnë të njëjtat të drejta punësimi si shtetasit shqiptarë, me përjashtim të vendeve që kërkojnë shtetësi shqiptare.
Në vitin 2025, numri i italianëve me leje qëndrimi në Shqipëri arriti në 3,776 persona, ose 14% të totalit të shtetasve të huaj, duke shënuar një rritje prej 75% krahasuar me vitin paraardhës.
Emigrimi po ndryshon tregun shqiptar të punës
Rritja e fortë e punësimit të shtetasve të huaj lidhet drejtpërdrejt me emigrimin e fuqisë punëtore shqiptare dhe vështirësitë që bizneset kanë për të gjetur staf vendas.
Të dhënat tregojnë se Shqipëria po hyn gradualisht në një fazë të re të tregut të punës, ku punonjësit e huaj po bëhen një element i domosdoshëm për funksionimin e shumë sektorëve të ekonomisë. Nëse trendi aktual vazhdon, pesha e tyre në tregun shqiptar pritet të rritet edhe më tej në vitet e ardhshme.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



