E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Flor Binaj distancohet nga “Kuvendi Qytetar”: Tentativë për përçarje
Lajme

Flor Binaj distancohet nga “Kuvendi Qytetar”: Tentativë për përçarje

Një nga figurat më aktive të protestës qytetare që prej 50 ditësh zhvillohet në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, aktori Florjan Binaj, ka reaguar publikisht lidhur me të ashtuquajturin “Kuvend Qytetar”, duke theksuar se nuk ka pasur asnjë informacion për organizimin e tij dhe se nuk e konsideron atë përfaqësues të protestës.

“Unë jo vetëm që s’isha i pranishëm, por nuk kisha dijeni fare që ka krijuar një kuvend.

Absolutisht, (nuk isha informuar). Dje pashë ato pamjet të disa njerëzve që mu duk diçka e stisur, me thënë të drejtën.

Mu duk diçka jo shumë përfaqësuese, sepse mendoj që në qoftë se do duhet të bëhet, duhen pyetur ata njerëzit atje në shesh, të gjithë njerëzit atje në shesh.

Vetëm Armir Shkurtin njoha, arrita të dalloj aty dhe zotin Sazan Guri. Pra zotin Shkurti dhe zotin Guri. Pjesën tjetër nuk i njihja fare, nuk i kam parë”, u shpreh Binaj për A2.

Sipas tij, ajo që po ndodh është një përpjekje e qëllimshme për të krijuar përçarje brenda protestës, e nxitur nga faktorë politikë, me synim dobësimin dhe shpërbërjen e saj.

“Përpjekja është nga politika pasi i harxhuan të gjithë fishekët e mundshëm me të cilët kanë vrarë çdo protestë që ka qenë më përpara qoftë e studentëve, qoftë e çmimeve, qoftë e shumë gjërave.

Pasi harxhuan këto fishekë të cilët dikur funksiononin, sot nuk funksionojnë më sepse maskat kanë rënë, sepse njerëzit e kanë dalluar tashmë kush është, për kë, kush punon, për kë dhe për çfarë.

Këta tani po përpiqen ta çajnë nga brenda. Pra, të fusin filiza, të mbjellin një farë të keqe për ta përçarë nga brenda.

Duke futur element radikalë, duke futur elementë problematikë, duke futur njerëz që hedhin fjalë për të provokuar njerëzit dhe padyshim do vinte dhe ky momenti që ne e prisnim dhe madje ka ardhur goxha vonë. Që këta do bënin çmos që të krijonin një diçka paralele duke i vënë emrin si duan ata.

Ndoshta mund të krijojnë edhe dy, tre gjëra, katër, pesë, shtatë gjëra kuvende të tjera paralele që njerëzit mos ta gjejnë veten se ku janë, pra të zhbëjnë atë që është bërë në shesh dhe në fund të ditës pastaj të arrijnë qëllimin që ta zhbëjnë protestën”, theksoi ai.

Binaj nënvizoi se mungesa e një drejtuesi të vetëm është pikërisht forca e kësaj lëvizjeje, e cila sipas tij ka arritur të mbijetojë dhe të zgjatet në kohë falë natyrës së saj gjithëpërfshirëse dhe qytetare.

“Protesta është një trup që merr frymë, fryhet dhe shfryhet, sepse përbëhet nga njerëzit. Unë besoj se qëndrimi në shesh është një përjetim që nuk vjen nëpërmjet ekranit. Protesta nuk ka kokë dhe në qoftë se unë jam këtu, unë jam përfaqësoj veten time.

Unë jam dhe e kam vënë gjithë peshën time specifike artistike e tjerë me radhë në favor të protestës, sepse mendoj që këto kërkesa janë të drejta. Ne nuk kemi përfaqësi dhe ky ka qenë dhe suksesi i jetëgjatësisë së kësaj proteste që nuk ka një kokë”, deklaroi ai.

Në përfundim, Binaj theksoi se një nga arritjet më të rëndësishme të kësaj lëvizjeje është rritja e ndërgjegjësimit publik dhe fakti që çështjet e ngritura nga protestuesit kanë kaluar përtej kufijve, duke tërhequr vëmendjen ndërkombëtare, veçanërisht për problematikat që lidhen me dëmtimin e mjedisit dhe zonave të mbrojtura.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.