E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Flotilja mbërrii në Vlorë, shpërthen Rama: Revolucionarët e rrenave
Lajme

Flotilja mbërrii në Vlorë, shpërthen Rama: Revolucionarët e rrenave

Kryeministri Edi Rama ka reaguar me tone ironike dhe të ashpra ndaj delegacionit të Global Sumud Flotilla, i cili mbërriti në Vlorë në mbështetje të protestave kundër projektit të planifikuar turistik në Sazan.

Tri anijet e flotiljes u nisën nga Brindizi dhe mbërritën në Vlorë me aktivistë shqiptarë, italianë dhe të huaj. Organizatorët e kanë paraqitur këtë udhëtim si një akt solidariteti me protestën e “Flamingove” dhe kundërshtimin ndaj projektit turistik në Sazan, i lidhur me Jared Kushner, dhëndrin e presidentit amerikan Donald Trump.

Mbërritja e flotiljes në Shqipëri kishte edhe një simbolikë të veçantë. Udhëtimi u zhvillua 35 vjet pas eksodit të anijes “Vlora”, por këtë herë në drejtim të kundërt, nga Italia drejt Shqipërisë.

Në Portin e Vlorës, aktivistët u pritën nga zëvendësministrja e Kulturës dhe Turizmit, Marinela Prifti, dhe drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Turizmit, Jola Hysaj.

Sipas Hysajt, delegacionit iu propozua një vizitë në ishullin e Sazanit, me qëllim që aktivistët të njiheshin nga afër me projektin dhe të merrnin informacionin zyrtar mbi zhvillimin e zonës.

Aktivistët, megjithatë, nuk e pranuan ftesën. Ata njoftuan se do të vijonin udhëtimin drejt Tiranës, ku synonin t’i bashkoheshin protestës kundër projektit në Sazan.

Ky episod u bë më pas pjesë e reagimit publik të Edi Ramës.

Kryeministri publikoi videon e drejtoreshës së Agjencisë Kombëtare të Turizmit dhe iu drejtua me tone ironike aktivistëve të flotiljes, duke i cilësuar si “revolucionarët e rrenave”.

Rama shkroi se aktivistët “i ikin të vërtetës si djalli temianit” dhe se, sipas tij, kanë “çoroditur dynjanë me marrëzitë e tyre”.

Në të njëjtin reagim, Kryeministri vlerësoi Agjencinë Kombëtare të Turizmit dhe Ministrinë e Kulturës dhe Turizmit për mënyrën se si pritën delegacionin, duke e përshkruar në mënyrë ironike si një “pritë” për “çlirimtarët e Sazanit”.

“Ehhhhh… këta revolucionarët e rrenave i ikin të vërtetës si djalli temianit, po ndërkohë çoroditën dynjanë me marrëzitë e tyre. Gjithsesi, një kompliment Agjencisë Kombëtare të Turizmit dhe Ministrisë së Kulturës e Turizmit për ‘pritën’ e bukur që u bënë çlirimtarëve të Sazanit”, shkroi Rama.

Mbërritja e Global Sumud Flotilla në Vlorë i jep një dimension të ri përplasjes politike dhe qytetare rreth projektit të Sazanit. Aktivistët e shohin praninë e tyre si një akt solidariteti me protestuesit, ndërsa qeveria vijon të mbrojë projektin dhe të kundërshtojë kritikat ndaj tij.

Përplasja tashmë nuk kufizohet vetëm brenda Shqipërisë, por po merr edhe një dimension ndërkombëtar, me pjesëmarrjen e aktivistëve nga vende të ndryshme dhe me Sazanin në qendër të debatit publik.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.