Fusha hyri në bankë me kallashnikov dhe qëlloi në dysheme
Tiranë | Hyri në bankë me kallashnikov dhe qëlloi në dysheme, dështon grabitja tek
Detaje të reja nga ngjarja e ndodhur mesditën e sotme te ish-Parku.
Bardhyl Fusha është futur me një çantë në bankë, ku brenda saj kishte kallashin. Sapo ka hyrë, ka nxjerrë armën dhe ka qëlluar një herë në tokë. Menjëherë te arka ka arritur të marrë shumat e parave.
Ka qenë një qytetar që ka lajmëruar policinë. Patrulla ka qenë shumë afër dhe, sapo ka mbërritur, e ka kapur autorin duke dalë nga dera e bankës. Menjëherë i është sekuestruar çanta, ku brenda saj janë gjetur lekët dhe arma e zjarrit.
Sipas burimeve zyrtare, ai ka qëlluar një herë me armë zjarri në dysheme. Në vendngjarje është gjetur një gëzhojë, ndërsa fatmirësisht nga të shtënat nuk ka persona të lënduar.
Policia njofton se efektivët e Komisariatit Nr. 2 kanë ndërhyrë menjëherë pas marrjes së njoftimit, duke bërë të mundur neutralizimin dhe kapjen e autorit në tentativë për t’u larguar nga vendi i ngjarjes.
Arma e zjarrit është sekuestruar, ndërsa 58-vjeçari është shoqëruar në komisariat për veprime të mëtejshme hetimore.
“Rreth orës 11:15, në Rrugën e Kavajës, shtetasi B. F., rreth 58 vjeç, dyshohet se ka hyrë në ambientet e një banke, me qëllim vjedhjen e saj, duke qëlluar me armë zjarri në dysheme. Nga të shtënat nuk ka shtetas të dëmtuar. Shërbimet e Policisë kanë ndërhyrë menjëherë dhe kanë bërë të mundur kapjen e autorit të dyshuar. Është sekuestruar arma e zjarrit. Në përfundim të veprimeve hetimore do të jepet informacion më i plotë për rastin”, thuhet në njoftimin zyrtar.
Ngjarja ka shkaktuar panik tek klientët dhe punonjësit e bankës, ndërsa zona u rrethua për disa minuta nga forcat e policisë.
Hetimet vijojnë për të zbardhur motivet dhe rrethanat e plota të kësaj tentative grabitjeje.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



