E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Gara për kreun e PD, Salianji: Berisha humbi burrërinë
Lajme

Gara për kreun e PD, Salianji: Berisha humbi burrërinë

Ish-deputeti i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Ervin Salianji, ka reaguar ashpër pas skualifikimit të kandidatëve të tjerë nga gara për drejtimin e partisë, duke lënë në garë vetëm kryetarin aktual, Sali Berisha.

Në një postim në rrjetet sociale, Salianji kritikon mënyrën se si po drejtohet PD, duke e cilësuar lidershipin aktual si të përqendruar te një individ dhe jo te anëtarësia. Ai paralajmëron se mungesa e garës së brendshme dhe drejtimi aktual po e çojnë partinë drejt dobësimit dhe humbjes së besimit publik. Sipas tij, Berisha është një lider i konsumuar dhe i paaftë për të bashkuar opozitën dhe për të sjellë ndryshim.

Zhvillimet vijnë pasi kandidatët e tjerë, Vladimir Mulaj dhe Mereme Sela, nuk u kualifikuan për në garë, pas verifikimeve nga KOKOE, duke e kthyer procesin në një votim pa rivalë.

Reagimi i plotë i Ervin Salianjit:

“Standardi mizerabël se si Berisha po trajton Partinë Demokratike shpreh mungesën e thellë të përgjegjësisë historike për sakrificat e demokratëve që prej 13 vitesh dergjen në opozitë.
Shpërfaqja e këtij shtetari deri në degradim total me ndasi, me idiotësi, me miq dhe armiq imagjinar… me rrena dhe gënjeshtra të poshtra që i kanë lënë demokratët 13 vite rrugëve, shprehin humbjen e “kështjellës” së fundit që ai kishte arritur të fshinte: burrërinë.
Ai dhe rrethi që i kacavirret abuzon me besnikërinë dhe vlerat e demokratëve, duke i vendosur përballë një presioni moral: të heshtin “për respekt të moshës”, të heshtin përballë “ndereve që i janë bërë”, të heshtin para shuarjes së PD për shkak të lidhjes me të.
Kush mban përgjegjësi për humbjen më të thellë që nga 1997, me 11 Maj 2025? Kush i bëri listat? Kush hartoi programin banal sikur të ishte viti 1995? Kush e drejtoi fushatën?
Dhe pyetja më e rëndësishme: si do të fitojë Partia Demokratike?
Edhe demokratët më të fandaksur e dinë që me Sali Berishën dhe këtë lidership, nuk do fitohet kurrë.
Çdo ditë që ai qëndron në krye të Partia Demokratike e Shqipërisë është një humbje për opozitën dhe për Shqipërinë.
Koha punon vetëm për ndryshimin. Sali Berisha nuk mund ta përfaqësojë kurrë atë.
Ai është i konsumuar, i izoluar, i hetuar, i paaftë për të bashkuar opozitën.
Nuk mund të flasim për ndryshim në Shqipëri, duke refuzuar ndryshimin në PD. Ne nuk mund të kërkojmë votën e shqiptarëve kështu.

Pse është e pamundur të sfidohet Sali Berisha, në PD?
Partia Demokratike nuk mund të jetë kurrë e fortë pa garë, pa përfaqësim, pa përgjegjësi.
Çdo përpjekje për t’i shmangur këto e dobëson Partinë Demokratike dhe e largon nga qytetarët.
Partia Demokratike nuk mund të jetë parti individi, nuk e meriton të jetë! Ajo duhet të rikthehet në një parti masash dhe pushteti. Ajo është pronë e demokratëve dhe shpresa e mijëra shqiptarëve që presin rotacionin prej vitesh!
PD nuk e meriton të shuhet për shkak të liderit të saj.
Llogaritë i kanë bërë gabim, veçanërisht me mua dhe shumicën e demokratëve.
Koha thërret demokratët të mos heshtin.”

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.