E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Gazetarët çojnë në Kushtetuese rregulloren e GJKKO-së
Lajme

Gazetarët çojnë në Kushtetuese rregulloren e GJKKO-së

Kërkohet pezullimi i kufizimeve për mediat

Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) ka ndërmarrë një hap ligjor kundër rregullores së re të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), duke iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese për të kundërshtuar disa prej kufizimeve që prekin drejtpërdrejt punën e gazetarëve.

Në kërkesën e depozituar në Kushtetuese, AGSH kërkon fillimisht pezullimin e zbatimit të dispozitave të kontestuara dhe, në vijim, shfuqizimin e tyre, duke argumentuar se këto rregulla kufizojnë aksesin e medias në proceset gjyqësore dhe mënyrën e raportimit nga ambientet e GJKKO-së.

Kreu i AGSH-së, Isa Myzyri, ka deklaruar se shqetësimi nuk lidhet vetëm me kushtet e punës së gazetarëve, por edhe me të drejtën e publikut për t’u informuar mbi proceset që zhvillohen në një prej institucioneve kryesore të drejtësisë në vend.

Sipas tij, gazetarët që mbulojnë në mënyrë të përditshme seancat e GJKKO-së kanë qenë ndër grupet që kanë ngritur më fort shqetësimet për zbatimin e rregullores së re.

“Ajo rregullore cënon punën e gazetarëve. Janë një sërë argumentesh që ekipi ligjor ta sjellë këtë rregullore në Kushtetuese”, deklaroi Myzyri.

Ai shprehu gjithashtu zhgënjimin ndaj mënyrës se si janë përcaktuar kushtet e reja për mediat, duke theksuar se, sipas AGSH-së, çështja tashmë shkon përtej interesit të vetë gazetarëve.

“Por tani nuk është në pikëpyetje e drejta e gazetarëve, por e drejta e qytetarëve”, u shpreh kreu i AGSH-së.

Çfarë kundërshtojnë gazetarët?

Rregullorja e re e GJKKO-së ka hyrë në fuqi më 1 shtator dhe ka sjellë ndryshime në mënyrën se si gazetarët dhe përfaqësuesit e medias mund të ndjekin seancat gjyqësore.

Një prej pikave që ka shkaktuar kundërshtime është ndalimi i përdorimit të telefonave celularë gjatë zhvillimit të seancave. Po ashtu, gazetarëve nuk u lejohet regjistrimi audio i seancave.

Në fokusin e kritikave janë vendosur edhe procedurat e akreditimit dhe kërkesat që duhet të plotësohen nga gazetarët për të ndjekur proceset gjyqësore.

AGSH argumenton se këto kufizime ndikojnë drejtpërdrejt në mënyrën e raportimit dhe mund ta vështirësojnë informimin e publikut mbi çështjet që trajtohen në GJKKO, veçanërisht ato me interes të lartë publik.

Asociacioni kërkon që Gjykata Kushtetuese të shqyrtojë nëse dispozitat e rregullores janë në përputhje me Kushtetutën dhe, deri në marrjen e një vendimi përfundimtar, të vendosë pezullimin e tyre.

Kundërshtimet ndaj rregullores janë shfaqur që prej publikimit të saj në fund të korrikut, ndërsa zbatimi i saj nisi zyrtarisht më 1 shtator. Tashmë, përballja për kufizimet ndaj medias është zhvendosur në Gjykatën Kushtetuese, e cila pritet të vlerësojë pretendimet e ngritura nga përfaqësuesit e gazetarëve.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.