Gazetarët e Tigrit!
Është shumë e lexueshme tashmë strategjia e urdhëruar dhe që zbatohet nga Vjena nga bashkëpunëtorët e Mirel Mërtirit, nga gazetarë, të cilët janë paguar me lekët që ky i fundit dhe kompanitë e inceneratorëve kanë marrë nga taksat e shqiptarëve të varfër.
Një strategji mediatike, t’u mbushin mendjen se shumica e gazetarëve që flasin për inceneratorët i paguan Arben Ahmetaj.
Pra, sot, pas 7 vitesh shkrime, denoncime për inceneratorët nga shumë gazetarë dhe shumë media, të gjithë ata që kanë folur pa ndalim edhe kur Arben Ahmetaj ka qenë ministër dhe ka qenë zëvendëskryeminitër, i paguan ai apo i ka paguar Tigri.

Pra, Tigri paguante këta gazetarët që të sulmonin Mirel Mërtirin që të futnin Tigrin në burg dhe kjo alibi ka filluar disa muaj më parë pasi Rilindja dhe gazetarë e paguar nga inceneratorët bënë një vërsulje politike të mirëkontrolluar dhe të shumëkomanduar kundër ish-zëvendëskryeministrit, numrit dy të qeverisë Rama.
Në atë kohë disa nga mediat që janë më të lira dhe që nuk janë peng i inceneratorëve dhe nuk e marrin komandën te zyra e “Gëbelsit” mediatik të Rilindjes apo të Mirelit raporton se ishte e qartë që inceneratorëve do t’u vihej kapaku me Tigrin, pra sulmohet Tigri, inceneratorët i bëri Tigri, gazetarët do të heshtnin, do ta mbështesnin këtë lojë të qeverisë dhe gjithçka do të mbyllej.
Këtu shpëtonte dhe Mireli, i cili quhet Mirel apo Klodian Mërtiri. Ky i fundit emrin e tij nuk e kishte në treg zyrtarisht si në akuzë. Por në nëntor të vitit të kaluar dhe ai u quajt “truri” i inceneratorëve. Pra, gjërat u komplikuan.

Propaganda tashmë ka dy linja, linjën zyrtare të qeverisë që përpiqet, tërhiq e mos e këput, të menaxhojë situatën shpërthyese pas plasjes së skandalit të inceneratorëve, por edhe dosjes hetimore nga Arben Ahmetaj dhe një linjë tjetër që kontrollohet nga Mirel Mërtiri që mendon se duke përhapur “fake news” do të ndalë gazetarët të flasin ata që mendojnë ndryshe duke akuzuar njëherë se i blen lali, njëherë se i blen Tigri, një herë se i blen tjetri, kur në rast konsekuenca e disa gazetarëve në lidhje me inceneratorët është për t’u përshëndetur dhe për t’u admiruar.
Por këta marifetçinj, qafirë të vegjël gazetarie, mendojnë se me goditje poshtë brezit, me shantazhe dhe intriga, do të ndalin gazetarët apo do të intimidojnë prokurorët veçse bëjnë një gabim të madh, nuk e kuptojnë se nuk janë në rolin e gazetarit, por janë në rolin e bashkëpunëtorit në krim, janë duke fshehur të vërteta dhe jo se dënohesh se ke shpërndarë “fake news” apo fyerje, për ato ka me qindra padi në Prokurori dhe gjykata për këta bashibuzukë të inceneratorëve, por duke ditur që shpifin dhe gënjejnë nuk shkojnë, nuk paraqiten në drejtësi.
Nga ana tjetër, në këtë rast nuk po flasim thjesht për shpifje dhe fyerje për gënjeshtra apo se i ulet reputacioni dikujt apo i ulet dikujt tjetër, kjo s’ka hiç rëndësi, në këtë rast duhet të mësojnë se janë bashkëpunëtorë në krim.
Dosjet janë aty, po, është e vërtetë. Ka hetim për mediat dhe gazetarët dhe janë në hetim mediat dhe gazetarët që janë paguar nga inceneratorët.
Ky është fakti. Se kë paguan Arben Ahmetaj, se kë blen dhe kë shet Arben Ahmetaj, apo se kë blen dhe shet Mirel Mërtiri, se kë blen dhe kë shet Klodian Zoto, se kë blen dhe shet apo shpik banda mediatike e inceneratorëve do ta shohim në javët në vijim pasi të flasë SPAK-u publikisht dhe zyrtarisht.

Gjithçka thonë dhe shpërndajnë është një shantazh, një ngritje kurthi për opinionin publik për të goditur gazetarë, për të thënë se Erion Veliajn po e sulmon Arben Ahmetaj, se Arben Ahmetaj i paguan këta, ndërkohë nga ana tjetër këta i paguan Erion Veliaj për të sulmuar Arben Ahmetajn apo qeveria vetë ka bërë një grup që u bien atyre apo këtyre, këto janë skema që kërkojnë thjesht dhe vetëm të ulin peshën që kanë në tregun mediatik një numër gazetarësh.

Por sado që t’i nxijnë qafirët e shërbimit të inceneratorëve apo qeverisë dhe Lalit të bashkisë, pas disa javësh do të dëgjojmë të vërtetën e plotë se ç’ka ndodhur me inceneratorin e Tiranës dhe sa gazetarë janë në hetim për përfitime financiare apo duke shkuar deri në krim siç është bashkëpunimi për të deformuar të vërtetën apo për të fshehur krimin e inceneratorëve./ CNA.al

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



