E hënë, 19 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Gazetari ‘flakë për flakë’ me Ramën: Një i çmendur një vend e çmend
Lajme

Gazetari ‘flakë për flakë’ me Ramën: Një i çmendur një vend e çmend

Klevin Muka i përgjigjet Kryeministrit me poezinë e Dritëro Agollit

Gazetari Klevin Muka i është kundërpërgjigjur publikisht kryeministrit Edi Rama, duke përdorur të njëjtën formë komunikimi – vargjet e Dritëro Agollit – në kulmin e protestave që prej 37 ditësh kërkojnë largimin e qeverisë dhe dorëheqjen e tij.

Reagimi i Mukës vjen pasi Rama publikoi në rrjetet sociale poezinë “Kundërshtarëve të mi” të Agollit, një mesazh që u interpretua gjerësisht si përgjigje ndaj kritikëve dhe protestuesve. Kryeministri ka reaguar vazhdimisht gjatë kësaj periudhe, duke i cilësuar protestuesit si të manipuluar dhe duke ngritur akuza për ndikim të agjentëve të huaj në organizimin e protestave.

Në këtë klimë tensioni politik, Muka zgjodhi të replikojë me një tjetër poezi të shkrimtarit të njohur, “Një i çmendur një vend e çmend”, duke sjellë në vëmendje një mesazh të fortë simbolik për situatën aktuale.

“Në vendin tim e në vendin tënd
E shpojnë lakrën, i hedhin mend.
Në vendin tim e në vendin tënd
Ty të kruhet, tjetrit i dhëmb.
Në vendin tim e në vendin tënd
Hënën si petull e pjekin në shkëmb.
Në vendin tim e në vendin tënd
Një i çmendur, një vend e çmend”, shkruan Agolli në poezinë e shpërndarë nga gazetari.

Postimi i Mukës u pa si një kundërpërgjigje direkte ndaj narrativës së kryeministrit, duke përdorur të njëjtin autor për të dhënë një mesazh krejt të kundërt.

Ndërkohë, në postimin e tij, Rama kishte ndarë poezinë “Kundërshtarëve të mi”, ku ndër të tjera thuhet:

“Ju aq baltë po hidhni mbi mua,
Sa në baltën që kam përmbi trup
Mund të mbijë një dardhë a një ftua,
Një korije e madhe me dushk.

Në korije dhe dru mund të mbani,
Mund të shkoni për gjah me langonj,
Mund të ngjiti në pemë të hani,
Po të doni dhe dardha, dhe ftonj.

Balta ngrihet mbi mua e pasur,
Sa mbi baltën korija bleron…
Trupin tim ma bleruat padashur
Dhe ma bëtë vërtet plantacion”.

Përdorimi i poezisë nga të dyja palët ka shtuar dimensionin simbolik të përplasjes publike, duke e kthyer debatin politik në një duel mes interpretimesh letrare në një moment të nxehtë për situatën në vend.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.