E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Gert, na  ra ky mort e të thurëm lavde!
Lajme

Gert, na ra ky mort e të thurëm lavde!

Naim Noka

Humbja e papritur e Gerti Bogdanit  dhe mijëra dedikime  në rrjetet sociale  nga mbarë politika, që nga Rama e deri tek media e shoqëria civile, na kujton një nga hipokrizitë më të rënda në shoqërinë shqiptare: ajo e lavdërimit pas vdekjes dhe trajtimit të ashpër për së gjalli. Shqiptarët, me një traditë të gjatë të nderimit të të vdekurve, shpesh harrojnë se respekti më i madh nuk duhet të rezervohet vetëm për  ditën e arkëmortit dhe momentet e fundit, por për çdo ditë të jetës së dikujt. Ky fenomen është veçanërisht i dukshëm në skenën politike shqiptare, ku helmi dhe shpifjet digjitale janë bërë një mjet i zakonshëm për të zbehur figurat publike. Është e kotë të flasim sa fisnik dhe qytetar ekselent ishte tironsi Gert Bogadani. Një figurë që sot mbulohet  me fjalë të mira dhe lavde sepse e meriton.
Por gjatë jetës së tij politike  ka përjetuar një përndjekje të pandërprerë nga qarqe dhe media të caktuara, që e sulmonin për arsye të pastërta politike. Nuk është as rastësi që qytetarët demokratë e socialistë  ende e kujtojnë Sokol Olldashin, një tjetër politikan i mënjanuar për shkak të interesave të elitës së vjetër që sundon politikën shqiptare prej dekadash.

Qytetarë e kalibrit të Olldashit, Bogdanit , pavarësisht kapacitetit dhe dëshirës për të kontribuar, shpesh i gjejnë rrugët e tyre të bllokuara nga “ujqërit  e vjetër” të politikës. Po ta vëzhgosh sot me kujdes, Shqipëria sundohet nga plejada  e vjetër e politikës që është me e   korruptuara  në Europë.  Pasi kanë grabitur  kush më shumë e kush më pak, pasuritë e vendit, vazhdojnë të infektojnë  molepsin politikën me arrogancën  e pushtetit të tyre.

Ujqërit e vjetër të  politikës  kanë mbijetuar vetëm për shkak të parasë dhe pushtetit të krimit dhe bandave. Një  zë  qytetari si Bogdani,  sigurisht  që ishte i pashpresë  me ujqërit e  politikës së vjetër . Politikanët e rinj  ekselentë i   asgjëson  sistemi i lëpirësve, servilëve,  që bërtasin për NJËSHIN ,  falë  makinerisë dhe propagandës televizive. Të mirët dhe të aftët   për sa kohë janë gjallë përplasen e lyhen me  baltë, përbuzen   shtyhen  nga të gjitha anët, për t’u kujtuar vetëm kur është shumë vonë, ditën e lamtumirës.

A është kjo thjesht një formë e kulturës sonë apo një simptomë e një sëmundjeje më të thellë, ku respekti i vërtetë jepet vetëm kur nuk mund të bëhet më asgjë për të ndryshuar realitetin? Këto tragjedi na thërrasin për të reflektuar mbi mënyrën se si trajtojmë njëri-tjetrin, mbi atë se si një shoqëri që duhej të nderojë meritat dhe vlerat, në vend të kësaj, nxjerr përpara ata që dinë të kontrollojnë më mirë mekanizmat e propagandës. Dhe, në fund, kur gjithçka ka mbaruar, mbetet vetëm një brohoritje e heshtur për ata që i ka përpirë politika e vdekur. Ndaj prehu i qetë Gert, sot të gjithë të kemi  thënë fjalët më të bukura nga bota hipokrite e ne të gjallëve.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.