GJKKO dënon ish-kryetaren e komanduar të Tropojës
Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka shpallur vendimin për ish-kryetaren e komanduar të Bashkisë Tropojë, Zyra Islamaj, si dhe për ndërtuesin Rrok Gega, të akuzuar për veprat penale “korrupsion pasiv” dhe “korrupsion aktiv”.
Sipas vendimit të GJKKO, Zyra Islamaj është dënuar me 2 vite e 1 muaj burg, dënim i cili është konvertuar në 2 vite shërbim prove, me kusht që gjatë kësaj periudhe të mos kryejë asnjë vepër tjetër penale. Po ashtu, gjykata ka vendosur heqjen e të drejtës për të ushtruar funksione publike për një periudhë 5-vjeçare.
Ndërkohë, për ndërtuesin Rrok Gega, gjykata ka dhënë një dënim me 6 muaj burg, i cili është pezulluar duke u zëvendësuar me një periudhë prove prej 1 viti.
Sipas dosjes gjyqësore, Islamaj është shpallur fajtore për “korrupsion pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike”, ndërsa Gega për “korrupsion aktiv”.
Çështja lidhet me një tender për ndërtimin e një ure në fshatin Luzhë të Tropojës. Sipas hetimeve të Prokurorisë së Posaçme, ish-zyrtarja ka abuzuar me detyrën duke favorizuar persona të afërt të saj në procedurat për përfitimin e këtij projekti publik.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



