E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
GJKKO dënon me burg ish-oficerin e Antiterrorit, Igli Haxhiaj
Lajme

GJKKO dënon me burg ish-oficerin e Antiterrorit, Igli Haxhiaj

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka shpallur fajtor ish-oficerin e Antiterrorit, Igli Haxhiaj, duke e dënuar me 4 vite burg për një sërë veprash penale të lidhura me detyrën. Për shkak të procedurës së gjykimit të shkurtuar, dënimi përfundimtar u ul në 2 vite e 8 muaj heqje lirie.

Përveç dënimit me burg, gjykata vendosi edhe ndalimin e ushtrimit të funksioneve publike për një periudhë prej 5 vitesh. Sipas vendimit, vuajtja e dënimit do të llogaritet nga data e ndalimit, 27 nëntor 2025, dhe do të kryhet në një institucion të sigurisë së zakonshme.

Ish-oficeri u gjet fajtor për shpërdorim detyre, zbulim të akteve dhe të dhënave sekrete, si dhe korrupsion pasiv në radhët e funksionarëve të drejtësisë. Gjykata urdhëroi gjithashtu që ai të përballojë edhe shpenzimet e hetimit dhe të procesit gjyqësor.

Sipas hetimeve, Igli Haxhiaj rezulton i përfshirë në aktivitete të trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike, në bashkëpunim me grupin e Elvis Doçit, i njohur si “Visi i Pojës”. Provat kryesore përfshijnë komunikime të zbardhura nga platforma SkyECC, të cilat e implikojnë drejtpërdrejt në këto veprimtari, në kohën kur ai ushtronte detyrën si oficer në strukturat operacionale.

Haxhiaj u arrestua në nëntor të vitit 2025 në kuadër të një operacioni të SPAK, ndërsa hetimet ndaj tij u mbyllën në muajin maj të këtij viti. Sipas organit të akuzës, veprat penale janë kryer në funksion të detyrës, duke cenuar rëndë besimin ndaj institucioneve të sigurisë dhe drejtësisë.

Vendimi i GJKKO nuk është përfundimtar dhe mund të ankimohet në Gjykatën e Posaçme të Apelit brenda 15 ditëve nga momenti i shpalljes së tij.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.