E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
GJKKO heq sekuestron e pasurive të ish-gjyqtarit Shkëlzen Selimi
Lajme

GJKKO heq sekuestron e pasurive të ish-gjyqtarit Shkëlzen Selimi

Vendimi vjen pas shpalljes së pafajësisë së ish-gjyqtarit në të dyja shkallët e gjykimit. Në listë janë dy pika karburanti dhe një truall në Vlorë.

Gjykata e Posaçme ka vendosur heqjen e masës së sekuestros mbi disa prej pasurive që ishin bllokuar gjatë hetimit ndaj ish-gjyqtarit të Gjykatës së Lartë, Shkëlzen Selimi.

Vendimi i GJKKO-së mbështetet në argumentin se nuk ekzistojnë më kushtet ligjore për vijimin e masës së sekuestros mbi pasuritë që kanë qenë objekt i procedimit.

Mes pasurive që nuk do të qëndrojnë më nën sekuestro është gjysma e një pike karburanti në Lungomaren e Vlorës, si dhe një truall me sipërfaqe rreth 2,400 metra katrorë në Jonufër.

Në vendim përfshihet gjithashtu një tjetër pikë karburanti në zonën e Transballkanikes në Vlorë.

Dy pasuritë e fundit figurojnë të regjistruara në emër të Kujtim Selimit.

Vendimi pas përfundimit të procesit penal

Heqja e sekuestros vjen pas përfundimit të procesit gjyqësor ndaj Shkëlzen Selimit, i cili ishte përballur me akuzën e deklarimit të rremë të pasurisë.

Pasuritë e ish-gjyqtarit ishin sekuestruar fillimisht në vitin 2021, në kuadër të një hetimi të SPAK që përfshiu edhe ish-gjyqtarë të tjerë të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë.

Në atë periudhë, hetuesit dyshuan se disa prej pasurive të ish-magjistratëve nuk justifikoheshin përmes burimeve të ligjshme të deklaruara.

Pas përfundimit të hetimeve, në tetor 2022, SPAK e dërgoi për gjykim çështjen ndaj Shkëlzen Selimit, duke e akuzuar për deklarim të rremë të pasurisë.

Procesi gjyqësor përfundoi me pafajësinë e ish-gjyqtarit në vitin 2025. Vendimi u kundërshtua nga SPAK dhe çështja kaloi në Apelin e GJKKO-së, i cili la në fuqi vendimin e shkallës së parë.

Në këto kushte, Gjykata e Posaçme ka vendosur tashmë edhe për fatin e disa prej pasurive që kishin mbetur nën masën e sekuestros gjatë procesit.

Vendimi do t’u komunikohet palëve nga Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, ndërsa ekzekutimi i tij do të kryhet pas përfundimit të afatit 15-ditor.

Shkëlzen Selimi u shkarkua nga vettingu në vitin 2018

Shkëlzen Selimi ka ushtruar funksione në sistemin e drejtësisë për rreth dy dekada, përpara se të shkarkohej nga detyra në vitin 2018, në kuadër të procesit të rivlerësimit kalimtar.

Vendimi i shkarkimit lidhej me konstatime për kontakte të papërshtatshme me persona të përfshirë në krimin e organizuar.

Në procesin e vettingut u përfshi edhe bashkëshortja e tij, Rilinda Selimi, ish-gjyqtare e Gjykatës Administrative të Apelit. Ajo gjithashtu u shkarkua nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit për shkak të kontakteve të konsideruara të papërshtatshme.

Në rastin e Rilinda Selimit, shumica e trupit gjykues nuk konstatoi probleme lidhur me pasurinë e saj.

Me vendimin e fundit të GJKKO-së, disa prej pasurive të përfshira në hetimin e nisur vite më parë nuk do të qëndrojnë më nën masën e sekuestros, pas përfundimit të procesit penal ndaj ish-gjyqtarit Shkëlzen Selimi.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.