GJKKO kalon për gjykim dosjen Meta-Kryemadhi
Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka vendosur që çështja ndaj ish-presidentit Ilir Meta dhe ish-bashkëshortes së tij Monika Kryemadhi të kalojë për gjykim, së bashku me tre persona të tjerë të përfshirë në të njëjtën dosje.
Vendimi u mor pas përfundimit të shqyrtimit paraprak nga gjyqtarja Irena Gjoka, e cila mbylli këtë fazë procedurale pas një hetimi të zgjatur rreth tetë muaj. Procesi nisi pasi SPAK dorëzoi kërkesën për dërgimin e çështjes në gjykatë.
Sipas akuzave të ngritura nga prokuroria, Meta dhe Kryemadhi dyshohen për përfshirje në korrupsion, pastrim parash dhe fshehje të pasurisë. Hetimet kanë përfshirë një analizë të gjerë financiare dhe verifikime mbi burimin e të ardhurave.
Në të njëjtin proces janë përfshirë edhe Pirro Xhixho, Ema Çoku dhe Fatime Kryemadhi. Xhixho përballet me akuzë për korrupsion, ndërsa Çoku dhe Fatime Kryemadhi akuzohen për pastrim parash.
Kalimi i çështjes në gjykim shënon një fazë të re të rëndësishme në këtë proces, ku pritet që provat dhe dëshmitë të shqyrtohen në themel për të përcaktuar përgjegjësitë penale të të pandehurve.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



