E hënë, 19 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
GJKKO kthen në SPAK dosjen ndaj Jonaid Myzyrit
Lajme

GJKKO kthen në SPAK dosjen ndaj Jonaid Myzyrit

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka vendosur të rikthejë për plotësim hetimesh çështjen ndaj ish-kreut të Komisionit të Prokurimit Publik, Jonaid Myzyri, duke mos pranuar kërkesën e SPAK për pushimin e saj.

Sipas vendimit, Prokuroria e Posaçme ka një afat prej 45 ditësh për të kryer veprime shtesë hetimore, mes të cilave edhe realizimin e një akt-ekspertimi të detajuar mbi procedurën e ndjekur.

Myzyri u vu nën akuzë për shkelje të barazisë në tendera, por pas rreth një viti hetimesh, prokurori i çështjes argumentoi se nuk ishin gjetur prova të mjaftueshme që të vërtetonin konsumimin e veprës penale, duke kërkuar pushimin e dosjes.

Në të njëjtën kërkesë, SPAK përfshiu edhe anëtarët e tjerë të Komisionit të Prokurimit Publik: Vilma Zhupaj, Lindita Skeja, Merita Zeqaj dhe Enkeleda Bega, për të cilët gjithashtu u kërkua mbyllja e hetimeve.

Hetimi lidhet me një procedurë tenderimi të zhvilluar në vitin 2020 nga Autoriteti Rrugor Shqiptar, me vlerë rreth 2.2 milionë euro, për mirëmbajtjen e disa segmenteve rrugore në zonën Rrëshen–Shpal–Qafë Bene–Hadroj dhe Shpal–Ura e Repsit, me një gjatësi totale prej 59 kilometrash.

Sipas akuzës, gjatë këtij procesi janë konstatuar shkelje të ligjit, të cilat dyshohet se janë shpërfillur nga Komisioni i Prokurimit Publik. Hetimet pretendojnë se është favorizuar bashkimi i operatorëve ekonomikë “AEK Munella” dhe “Drini-1”, të cilët kanë fituar tenderin përmes dokumentacionit të parregullt.

Vendimi i Gjykatës për rikthimin e dosjes për hetime shtesë pritet të ndikojë në zbardhjen e plotë të rrethanave dhe në përcaktimin e përgjegjësive ligjore për këtë procedurë.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.