GJKKO liron nga qelia administratorin e Inceneratorit të Elbasanit, Leli Kraja
Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka caktuar masën e sigurisë “arrest në shtëpi” për Leli Krajën, administratorin e kompanisë publike “ECO-ELB”, i cili u arrestua dy ditë më parë në Elbasan.
Kraja u vu në pranga nga agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) në lagjen “Fushë Mbret”. Ai dyshohet se ka marrë një zarf me 4 milionë lekë ryshfet nga një biznes.
Hetimet për ECO-ELB, kontrolle në banesa dhe 43 persona të pyetur
Emri i administratorit ishte përfshirë më herët në një hetim të Prokurorisë së Elbasanit për aktivitetin e kompanisë publike “ECO-ELB”. Në korrik të vitit 2025, në kuadër të këtij procedimi u ushtruan 14 kontrolle në banesat e personave të lidhur me çështjen, mes tyre edhe në banesën e Krajës.
Hetimi, i regjistruar në vitin 2024, ka në fokus marrëdhëniet institucionale dhe financiare mes kompanisë “ECO-ELB” dhe tetë bashkive të qarkut Elbasan.
Gjatë hetimeve, prokuroria ka marrë në pyetje 43 persona. Në verifikim janë përfshirë edhe funksionarë të pushtetit vendor, mes tyre zëvendëskryetarë bashkish, drejtues të sektorëve juridikë dhe përgjegjës të financave.
Dyshime për shërbime të pakryera dhe pagesa të realizuara
Një nga drejtimet kryesore të hetimit lidhet me dyshimet se në raste të caktuara shërbimet e parashikuara mund të jenë kryer vetëm pjesërisht, të jenë ofruar për periudha më të shkurtra nga ato të përcaktuara ose të mos jenë realizuar fare, ndonëse pagesat përkatëse janë kryer.
Hetuesit po verifikojnë marrëdhëniet financiare dhe mënyrën e zbatimit të shërbimeve mes kompanisë publike dhe njësive vendore, për të përcaktuar nëse ka pasur shkelje dhe përgjegjësi konkrete.
Caktimi i masës së sigurisë ndaj Leli Krajës nuk përbën shpallje fajtor. Përgjegjësia penale e tij dhe e çdo personi tjetër të përfshirë në hetim do të përcaktohet nga drejtësia në përfundim të procesit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



