GJKKO liron nga qelia nënën me foshnjën 4-muajshe
Vetëm një ditë pasi u dërgua në burgun e Pojskës së bashku me foshnjën e saj 4-muajshe, Greta Gjoci është liruar me vendim të GJKKO-së.
Greta Gjoci është liruar nga Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, pasi një ditë më parë ishte dërguar në burgun e Pojskës, në Korçë, së bashku me foshnjën e saj 4-muajshe.
Gjoci është dënuar me 6 vite e 8 muaj burgim për mashtrim kompjuterik, në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal që dyshohet se mashtronte shtetas italianë përmes skemave të organizuara me Call Center-a.
Pas ekzekutimit të dënimit, ajo u transferua në institucionin e vuajtjes së dënimit në Pojskë, ku ndodhet një seksion i posaçëm për nënat me fëmijë të vegjël. Gjoci dhe foshnja e saj u sistemuan në ambientet e këtij seksioni, ku funksionon edhe çerdhja.
Vendimi i GJKKO-së për lirimin e saj vjen pas kërkesës së mbrojtjes për shtyrjen e ekzekutimit të dënimit, duke marrë në konsideratë rrethanat familjare dhe faktin se e dënuara ka në kujdes një foshnjë vetëm 4-muajshe.
Greta Gjoci, një nga gratë e dënuara në dosjen e Bruno Çobos
Greta Gjoci është një nga gjashtë gratë e dënuara në kuadër të dosjes së grupit të Bruno Çobos. Pesë prej tyre i janë drejtuar GJKKO-së me kërkesa për shtyrjen e ekzekutimit të dënimit, duke u bazuar kryesisht te prania e fëmijëve të mitur dhe rrethanat familjare.
Ndërkohë, katër gra me fëmijë ndodhen aktualisht në burgun e Pojskës, ku janë krijuar ambiente të posaçme për nënat dhe fëmijët.
Kërkesa e mbrojtjes së Greta Gjocit është depozituar më 5 tetor, në të njëjtën ditë kur Apeli i GJKKO-së la në fuqi dënimet ndaj 16 të pandehurve të dosjes së Bruno Çobos. Në total, dënimet e dhëna për të pandehurit arrijnë në rreth 110 vite burgim.
Në kërkesën drejtuar gjykatës, mbrojtja ka vënë në dijeni edhe SPAK-un dhe prokurorin e çështjes, Ened Nakuçi, i cili kishte urdhëruar ekzekutimin e vendimit.
Pas vendimit të GJKKO-së, Greta Gjoci është liruar, ndërsa çështja e saj lidhet me mënyrën dhe kohën e ekzekutimit të dënimit, duke pasur në vëmendje edhe situatën familjare dhe kujdesin ndaj foshnjës së saj 4-muajshe.
Sipas vendimit të dhënë, Gjoci pritet të rikthehet në burg pas një viti.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



