E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
GJKKO merr vendimin, lë pas hekurave Renardo Nallbanin
Lajme

GJKKO merr vendimin, lë pas hekurave Renardo Nallbanin

Gjykata e Posaçme ka vendosur masën e sigurisë “arrest në burg” për Renardo Nallbanin, i arrestuar pak ditë më parë në zonën e Palasës, pas më shumë se dy vitesh në kërkim nga Prokuroria e Posaçme (SPAK).

Në seancën gjyqësore, prokurori i çështjes, Dritan Prençi, kërkoi konfirmimin e masës së arrestit të dhënë më herët, duke argumentuar se ndaj 50-vjeçarit rëndojnë akuza të rënda, përfshirë pastrimin e produkteve të veprës penale, përfshirjen në organizatë kriminale dhe pjesëmarrjen në grup të strukturuar kriminal.

Pavarësisht përpjekjes së mbrojtjes për të siguruar një masë më të butë përmes ofrimit të garancisë pasurore, gjykata vendosi të mos e marrë parasysh këtë kërkesë, duke lënë në fuqi arrestin me burg.

Nallbani rezulton i përfshirë në hetimet për aferën e inceneratorit të Tiranës, një nga çështjet më të bujshme të trajtuara nga SPAK. Ai konsiderohet si një nga figurat kyçe në menaxhimin e aktivitetit të lidhur me inceneratorët, ndërsa në mënyrë jozyrtare është përmendur edhe si person që ka drejtuar në fazat fillestare biznesin e dherave që lidhet me këtë projekt.

Sipas Prokurorisë së Posaçme, vetëm në një periudhë gjashtëvjeçare, nga viti 2017 deri në vitin 2023, përmes kompanisë së inceneratorit të Tiranës dyshohet se janë pastruar rreth 30 milionë euro. Dosja për këtë çështje është dërguar për gjykim me 12 persona të pandehur, si pjesë e një fraksioni hetimor që lidhet me mashtrimin dhe pastrimin e parave.

Deri më tani, nga lista e të akuzuarve, vetëm Nallbani është arrestuar, ndërsa në krye të skemës së dyshuar të pastrimit të parave, sipas SPAK, qëndrojnë biznesmenët Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto, të cilët vijojnë të jenë në kërkim. Të dy janë dënuar më herët nga Gjykata e Posaçme për çështje që lidhen me inceneratorët e Fierit dhe Elbasanit.

Çështja e inceneratorëve mbetet një nga hetimet më të ndjeshme në vend, me implikime të forta politike dhe ekonomike, ndërsa zhvillimet e fundit pritet të hedhin më shumë dritë mbi këtë skemë të dyshuar financiare.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.