GJKKO merr vendimin për “trurin” e platformës “Rydox”
Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka shpallur fajtor shtetasin Shpend Sokoli, duke e dënuar për përfshirje në mashtrim kompjuterik dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal.
Vendimi është dhënë sot, më 4 maj 2026, dhe parashikon një dënim përfundimtar prej 3 vjet e 8 muaj burg, i reduktuar për shkak të gjykimit të shkurtuar. Sipas trupit gjykues, i pandehuri do ta vuajë dënimin në një institucion të sigurisë së lartë.
Në kuadër të këtij procesi, është vendosur gjithashtu konfiskimi i aseteve të tij në platformën Binance, ndërsa shpenzimet procedurale i janë ngarkuar të dënuarit. Provat materiale të sekuestruara do t’u rikthehen personave që provojnë pronësinë mbi to. Vendimi mund të ankimohet brenda 15 ditëve në Apelin e Posaçëm.
Nga hetimet e zhvilluara rezulton se çështja është ndjekur në bashkëpunim të ngushtë mes SPAK, Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe agjencive ndërkombëtare ligjzbatuese, përfshirë FBI-në. Të dhënat hetimore janë siguruar edhe përmes bashkëpunimit ndërkufitar dhe analizës së provave digjitale.
Sipas dosjes, Sokoli, me origjinë nga Kosova, ka qenë ndër zhvilluesit kryesorë dhe bashkëpronari i kompanisë “Scythe Labs”, e lidhur me një treg të paligjshëm online të njohur si “Rydox”. Kjo platformë funksiononte si një treg i fshehtë ku tregtoheshin të dhëna sensitive, përfshirë kredenciale email-esh, llogari të platformave tregtare dhe informacione personale të përdoruesve në shkallë të gjerë.
Hetimet kanë zbuluar se në këtë aktivitet ishin të përfshirë edhe bashkëpunëtorë të tjerë, mes tyre Ardit dhe Jetmir Kutleshi, të cilët dyshohet se kanë operuar së bashku për përfitime financiare përmes kësaj skeme. Aktiviteti kriminal rezulton të jetë zhvilluar për disa vite, me fillesa të dokumentuara që prej vitit 2016.
Procedimi penal ka nisur në nëntor 2022 nga autoritetet amerikane dhe më pas është zgjeruar në bashkëpunim me institucionet shqiptare, duke çuar në mbledhjen e një sërë provash materiale dhe elektronike.
Vendimi i GJKKO-së:
“Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Gjykimin e çështjes penale në ngarkim të të pandehurit Shpend Sokoli, i akuzuar për kryerjen e veprave penale: “Mashtrimi kompjuterik” në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 143/b/1, 28/4, 333/a/2 dhe 334, paragrafi i parë, të Kodit Penal.”.
- Gjykimi i kësaj ҫështje u zhvillua me rregullat e gjykimit të shkurtuar. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Flojera Davidhi, Elsa Ulliri dhe Atalanta Zeqiraj, me vendimin nr. 37, datë 04.05.2026 vendosi:
- Deklarimin fajtor të të pandehurit Shpend Sokoli, për kryerjen e veprës penale “Keqpërdorimi i pajisjeve”, kryer në bashkëpunim të posaçëm, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga neni 293/ç dhe 28/4, në lidhje me nenin 334, paragrafi parë të K.Penal, dhe dënimin e tij me 5 (pesë) vjet e 6 (gjashtë) muaj burgim.
- Deklarimin fajtor të të pandehurit Shpend Sokoli, për kryerjen e veprës penale “Grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 333/a, paragrafi dytë të K.Penal, dhe dënimin e tij me 2 (dy) vjet burgim.
- Në bazë të nenit 55 të K.Penal, bashkimin e dënimeve të dhëna me një dënim të vetëm, duke e dënuar të pandehurin Shpend Sokoli, me 5 (pesë) vjet e 6 (gjashtë) muaj burgim.
- Në aplikim të nenit 406/1 të K.Pr.Penale, të pandehurit Shpend Sokoli i zbritet 1/3 e masës së dënimit me burgim, duke u dënuar përfundimisht me 3 (tre) vjet e 8 (tetë) muaj burgim.
- Vuajtja e dënimit të fillojë nga dita e ndalimit të të pandehurit dhe të vuhet në një burg të sigurisë së lartë.
- Në bazë të nenit 190/1, shkronja “a” të K.Pr.Penale, të nenit 36/1, shkronjat “a” dhe “ç”, të
K.Penal, konfiskimin e fondeve të shtetasit Shpend Sokoli në Binance, në llogarinë me të dhëna UID: ****, Email: ****, User Name: ****.
- Provat materiale të sekuestruara t’u kthehen personave që u përkasin.
- Në mbështetje të nenit 485/3 të K.Pr.Penale, shpenzimet procedurale dhe ato gjyqësore, sipas formularit bashkëlidhur, i ngarkohen të pandehurit.
Kundër këtij vendimi lejohet ankim brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve, në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, duke filluar ky afat nga e nesërmja e njoftimit të këtij vendimi të arsyetuar.
Tiranë, më datë 04.05.2026
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”.
Ky vendim konsiderohet një zhvillim i rëndësishëm në goditjen e krimit kibernetik dhe rrjeteve të paligjshme online, duke dëshmuar efektivitetin e bashkëpunimit ndërkombëtar në ndjekjen e aktiviteteve kriminale që operojnë përtej kufijve shtetërorë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



