GJKKO nxjerr nga qelia CEO-n e kompanisë Bankers Petroleum
Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka vendosur të lehtësojë masën e sigurisë për shtetasin kinez Hongping Xiao, drejtues ekzekutiv (CEO) i kompanisë Bankers Petroleum, duke e ndryshuar nga “arrest në burg” në “arrest në shtëpi”.
Xiao akuzohet për një sërë veprash të rënda penale, mes tyre ngritje të skemave mashtruese në lidhje me Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, fshehje të të ardhurave, pastrim të produkteve të veprimtarisë kriminale, shpërdorim detyre, moskryerje të detyrave nga organet tatimore, korrupsion pasiv të zyrtarëve të lartë shtetërorë apo vendorë, si dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal dhe organizatë kriminale.
Sipas Prokurorisë, për një periudhë rreth 20-vjeçare, kompania më e madhe e nxjerrjes së naftës në Shqipëri dyshohet se ka shmangur sistematikisht detyrimet tatimore, duke i shkaktuar buxhetit të shtetit dëme që kapin shifra shumë milionëshe.
Operacioni në “Bankers Petroleum Albania” u ndërmor më 2 korrik nga Prokuroria e Fierit, e cila ekzekutoi gjithsej 10 masa sigurie. Ndërkohë, katër shtetas të huaj vijojnë të jenë ende në kërkim. Hetimet dyshojnë se kompania ka kryer deklarime të rreme tatimore dhe ka shmangur pagesën e detyrimeve financiare në përmasa të mëdha.
Sipas të dhënave hetimore, gjatë periudhës 2004–2024, kompania kineze ka realizuar shitje dhe eksporte nafte në vlerën totale prej rreth 532 miliardë lekësh. Megjithatë, në dokumentacionin zyrtar fiskal, ajo ka deklaruar humbje për çdo vit financiar, me një total prej rreth 11.7 miliardë lekësh.
Këto kontradikta mes volumit real të aktivitetit dhe bilanceve të deklaruara përbëjnë thelbin e hetimit penal, i cili pritet të zbardhë një nga skemat më të mëdha të dyshuara të evazionit fiskal në sektorin e naftës në Shqipëri.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



