Gjykata e Apelit Tiranë ka ndryshuar sot masën e sigurisë për pronarin e kompanisë së basteve sportive Ecco Bet, Gramoz Murataj dhe vëllain e shefes së Kolegjit të Posaçëm të Apelimit Natasha Mulaj, Ervis Mulaj.
Gjatë seancës së zhvilluar ditën e sotme, Apeli i Tiranës ka vendosur të shfuqizojë vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë dhe nga “Arrest me burg” Gramoz Murataj është lënë me masë sigurie “Arrest shtëpie”. Po të njëjtin vendim Gjykata e Apelit ka dhënë dhe për vëllain e shefes së KPA Natasha Mulaj, Ervis Mulaj.
Kujtojmë se, pak ditë më parë Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj i është drejtuar me një letër Prokurorisë së Përgjithshme, Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë ku i kërkon marrjen e masave për ruajtjen e shëntetit të të burgosurve nga koronavirusi, për të dhënë vendime alternative.
Nga dënimet alternative pritet të përfitojnë persona që nuk kanë kryer vepra të rënda, si vrasje, plagosje, trafik të lëndëve narkotike, dhunë në familje etj. Nuk dihet nëse ndryshimi i masës së sigurisë së bosit të Ecco Bet Gramoz Muartaj ka ardhur si pasojë e këtij vendimi të ministres Gjonaj.
Gramoz Murataj dhe Ervis Mulaj ishin mes 115 të arrestuar një muaj më parë në megaoperacionin e policisë për ushtrimin e paligjshëm të basteve sportive.