Gjykata e Lartë ndryshon kriteret: Ja kur duhet dhënë masa ” arrest në burg”
Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë kanë vendosur të ndryshojnë pjesërisht praktikën unifikuese lidhur me caktimin e masës së sigurimit “arrest në burg”, duke vendosur standarde më të rrepta për gjykatat dhe prokurorinë.
Vendimi, i marrë nga një trupë prej 16 gjyqtarësh, synon të unifikojë praktikën gjyqësore dhe të forcojë mbrojtjen e lirisë personale, duke e konsideruar arrestin në burg si një masë përjashtimore, që duhet të përdoret vetëm kur alternativat rezultojnë të pamjaftueshme.
Në thelb të këtij vendimi qëndron detyrimi i gjykatave për të bërë një analizë reale dhe të argumentuar të masave alternative. Nuk mjafton më një arsyetim i përgjithshëm për përshtatshmërinë e arrestit në burg; gjykata duhet të shpjegojë konkretisht pse masat më të lehta nuk janë të zbatueshme në rastin përkatës.
Një tjetër element kyç lidhet me vlerësimin e rrezikshmërisë. Kolegjet theksojnë se ajo nuk mund të mbështetet vetëm te natyra e veprës penale apo te masa e dënimit të parashikuar, por duhet të bazohet në një analizë të plotë të rrethanave konkrete, përfshirë mënyrën e kryerjes së veprës, pasojat, si dhe personalitetin dhe situatën individuale të personit nën hetim.
Po ashtu, vendimi vendos qartë barrën e provës mbi organin e akuzës: është prokuroria ajo që duhet të argumentojë dhe justifikojë nevojën për caktimin dhe vijimin e masës së arrestit në burg. Nga ana tjetër, gjykata ka detyrimin të verifikojë këtë kërkesë në mënyrë të pavarur dhe të arsyetuar, pa u ndikuar nga mungesa ose prania e provave që paraqet i dyshuari.
Kolegjet e Bashkuara nënvizojnë se kufizimi i lirisë personale kërkon një arsyetim të individualizuar, të bazuar në fakte konkrete dhe të kontrollueshme, në përputhje me Kodin e Procedurës Penale, Kushtetutën dhe standardet e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut.
Ky vendim konsiderohet një hap i rëndësishëm drejt rritjes së standardeve të drejtësisë dhe garantimit të të drejtave themelore, duke synuar një praktikë më të qëndrueshme, të njëtrajtshme dhe të parashikueshme në sistemin gjyqësor shqiptar.
Në çështjen konkrete që u mor në shqyrtim, Kolegjet e Bashkuara vendosën të lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, duke rrëzuar rekursin e paraqitur nga prokuroria.
VENDIMI
Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë, në përbërje të 16 gjyqtarëve, kanë marrë vendim mbi standardet që duhet të udhëheqin gjykatat në caktimin dhe vijimin e masës së sigurimit personal “arrest në burg”.
Çështja u shqyrtua pas nismës së Kryetarit të Gjykatës së Lartë, i cili, në ushtrim të rolit kushtetues dhe ligjor të Gjykatës së Lartë për garantimin e një praktike gjyqësore të njëtrajtshme, të qëndrueshme dhe të parashikueshme, vuri në lëvizje Kolegjet e Bashkuara për t’i dhënë përgjigje shqetësimeve të evidentuara në praktikën gjyqësore lidhur me mënyrën se si kërkohej, arsyetohej, kontrollohej dhe zbatohej masa “arrest në burg”, si dhe për ta orientuar këtë praktikë drejt standardeve kushtetuese e konventore për mbrojtjen e lirisë personale.
Kolegjet e Bashkuara vlerësuan se praktika gjyqësore kërkonte qartësim, saktësim, standardizim, ndryshim dhe zhvillim të mëtejshëm në mënyrën e kuptimit dhe zbatimit të masës “arrest në burg”. Përmes këtij vendimi, Kolegjet orientojnë gjykatat drejt zbatimit të standardeve në përputhje me Kodin e Procedurës Penale, Kushtetutën dhe jurisprudencën e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut, duke ritheksuar se kufizimi më i rëndë i lirisë personale nuk mund të mbështetet në formulime të përgjithshme, por kërkon arsyetim konkret, të individualizuar dhe të kontrollueshëm.
Kolegjet e Bashkuara përcaktuan tri rregulla kryesore:
Së pari, formulimi i mëparshëm, sipas të cilit, kur kërkohet ose vendoset masa e sigurimit “arrest në burg”, gjykata nuk ka detyrimin të analizojë realisht masat alternative dhe mjafton të arsyetojë se masa e zgjedhur është e përshtatshme për rastin konkret, nuk është në përputhje me nenet 228-230 dhe 245/1, shkronja “ç”, të Kodit të Procedurës Penale, si dhe me nenin 5 § 3 të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut. Për këtë arsye, gjykata ka detyrimin të shqyrtojë realisht masat më pak kufizuese të lirisë personale dhe të arsyetojë shprehimisht përse ato nuk janë të mjaftueshme në rastin konkret. Ky arsyetim duhet të jetë i individualizuar, i mbështetur në fakte dhe i lidhur drejtpërdrejt me rrethanat konkrete të çështjes.
Së dyti, masa “arrest në burg” ka natyrë përjashtimore dhe mund të vendoset vetëm kur masat e tjera janë të papërshtatshme. Rrezikshmëria e veprës dhe e autorit nuk mund të nxirret vetëm ose kryesisht nga natyra e veprës penale apo nga marzhi i dënimit, por duhet të mbështetet në një vlerësim konkret të rrethanave të çështjes, mënyrës së kryerjes së veprës, pasojave, personalitetit, sjelljes dhe të dhënave personale e familjare të personit ndaj të cilit kërkohet masa.
Së treti, barra e justifikimit të nevojës për caktimin dhe vijimin e masës “arrest në burg” i takon prokurorisë. Gjykata ka detyrimin ta verifikojë dhe ta arsyetojë këtë nevojë në çdo fazë të procedimit. Vendimmarrja e saj nuk mund të kushtëzohet nga paraqitja ose jo e “provave pozitive” nga i pandehuri.
Ky vendim ka rëndësi të veçantë për sistemin gjyqësor dhe për mbrojtjen e të drejtave themelore, pasi qartëson kushtet, kufijtë dhe mënyrën e arsyetimit të masës “arrest në burg”, në përputhje me Kodin e Procedurës Penale, Kushtetutën dhe standardet e GJEDNJ-së. Në këtë mënyrë, Kolegjet e Bashkuara forcojnë qëndrueshmërinë, njëtrajtshmërinë dhe parashikueshmërinë e praktikës gjyqësore, duke vendosur në qendër garancitë e lirisë personale dhe nevojën për një kontroll gjyqësor real, konkret dhe proporcional.
Në çështjen konkrete, Kolegjet e Bashkuara lanë në fuqi vendimin e Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, duke vlerësuar se rekursi i prokurorisë nuk gjente mbështetje në ligj.
Vendimi i plotë dhe i arsyetuar i Kolegjeve të Bashkuara do të vihet në dispozicion brenda afatit ligjor dhe do të dërgohet për botim në Fletoren Zyrtare.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



