Gjykata e Durrës ka dhënë këtë të dielë masat e sigurisë për shtatë personat e arrestuar gjatë një operacioni të forcave speciale në zonën e Gjirit të Lalzit, dy ditë më parë.
Pas shqyrtimit të provave dhe kërkesës së prokurorisë, trupa gjykuese vendosi masën “arrest me burg” për Xhevdet Plakun, i njohur ndryshe si ‘Akili’, i cili rezulton të jetë arratisur nga një burg në Itali në janar të këtij viti.Në të njëjtën masë sigurie u lanë edhe shtetasit Flobenc Meçja, Voltan Xhani, Jugert Xhani, Fatjon Qesja dhe Ortion Hasani.Ndërkohë, për shtetasin Alfred Hasanaj, gjykata caktoi masën më të lehtë “detyrim paraqitje”. Ai është i detyruar të paraqitet çdo të hënë në orën 10:00 pranë Policisë Gjyqësore dhe i ndalohet dalja jashtë shtetit pa lejen e gjykatës, ndërkohë që pasaporta e tij është sekuestruar.Operacioni i arrestimeve u zhvillua në një lokal luksoz në zonën e Gjirit të Lalzit, si pjesë e një hetimi në vijim ndaj veprimtarisë së dyshuar kriminale të personave të përfshirë.Personat e arrestuar nga opercioni i Policisë së Durrësit dhe Forcave Speciale:Xhevdet Plaku, 45 vjeç, banues në Durrës. I shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma, pas urdhrit të Gjykatës së Breshias (Itali) për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”. Plaku ishte arratisur nga burgu i Ankonës në janar 2025. Gjatë kontrollit, iu gjet një armë zjarri tip pistoletë me fishek në fole, gati për qitje.Flobens Mecia, alias “Gega”, alias “Drini”, 43 vjeç, banues në Shkodër. I kërkuar nga SPAK dhe me masë sigurie “Arrest në burg” për veprat penale “Organizata kriminale”, “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal” dhe “Sigurimi i kushteve për të kryer vrasje”. Gjatë kontrollit iu gjetën dy dokumente të falsifikuara dhe një armë zjarri pistoletë me fishek në fole.Voltan Xhani, 39 vjeç, lindur në Përmet dhe rezident në Holandë. I shpallur në kërkim për “Trafikim mjetesh motorike” dhe “Sigurimi i kushteve për të kryer vrasje”, lidhur me një hetim për vrasje me armë zjarri në Shkodër. Iu gjet një armë zjarri pistoletë me fishek në fole në çantën personale.Jugert Xhani, 35 vjeç, lindur në Përmet. Akuzohet për “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”, “Moskallëzimi i krimit” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”. Iu sekuestrua një armë zjarri pistoletë dhe municion luftarak.O. H., 38 vjeç, banues në Mamurras – nën hetim për “Moskallëzim krimi” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”.F. Q., 36 vjeç, banues në Tiranë – nën hetim për të njëjtat vepra penale.A. H., 45 vjeç, banues në Mamurras – i dyshuar për “Moskallëzim krimi” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”.