Valbona dhe Ajola Xoxës, nënë e bijë, në lidhje me kontrollet e ushtruara nga Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH) dhe sekuestron e vilës në Qerret, të urdhëruara nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) si pjesë e hetimeve për çështjen e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.
Valbona Xoxa, e cila është vjehrra e Erion Veliajt, dhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, kishin kundërshtuar nëpërmjet rekurseve në Gjykatën e Lartë kontrollin e banesave dhe zyrave të tyre nga BKH, të kryer me urdhër të SPAK. Ato kërkonin gjithashtu heqjen e sekuestros mbi vilën luksoze në Qerret, e cila zyrtarisht rezulton në emër të Valbona Xoxës. Megjithatë, SPAK dyshon se kjo pronë është në fakt një pasuri e fshehur e Erion Veliajt dhe Ajola Xoxës.
Hetimet e SPAK kanë ngritur dyshime se Erion Veliaj ka fshehur pronësinë e vilës, e cila ndodhet në kompleksin turistik “Marea” në bregdetin e Qerretit në Kavajë, duke e regjistruar atë në emër të prindërve të bashkëshortes së tij, Valbona Xoxa dhe Arben Xoxa (tashmë i ndjerë). Sipas dosjes së SPAK, emri i Veliajt figuron në listën e pagesave për mirëmbajtjen e vilës me numër 6 A. Ndërkohë, bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, figuron në faturat e pagesave për arredimin e vilës, ndërtimin e një pishine para ndërtesës dhe shpenzime të tjera të ngjashme. SPAK ka siguruar gjithashtu të dhëna të sinjaleve telefonike që vëreheshin në zonën e Qerretit, kryesisht gjatë fundjavave, që përputhen me lëvizjet e çiftit.
Me vendimin e Gjykatës së Lartë për rrëzimin e rekursit, vila në Qerret do të vijojë të mbetet e bllokuar nga autoritetet. Rekurse ishin depozituar edhe nga dy shoqëri, “AVA STUDIO” SH.P.K dhe “PARTNERS LAW” SH.P.K, të cilat gjithashtu kërkonin heqjen e sekuestros, por edhe këto rekurse janë rrëzuar nga Gjykata e Lartë.
Erion Veliaj u arrestua në mesditën e 10 shkurtit në ambientet e Bashkisë së Tiranës, pas një hetimi që zgjati rreth një vit nga SPAK. Ai akuzohet për kryerjen e veprave penale të “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim (9 herë) dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”. Pas vendimit të Gjykatës së Apelit, Veliajt iu shtua edhe akuza e futjes së sendeve të ndaluara në qelitë e paraburgimit, pasi u kap në përgjim duke komunikuar përmes celularit të një efektivi burgu gjatë transportit.