Gjykata Kushtetuese si modeli më i keq për drejtësinë shqiptare
Ka momente kur një institucion nuk rrëzohet nga një vendim i gabuar, por nga mungesa e një vendimi. Pikërisht këtu ndodhet sot Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë.
Sërish, gjyqtarët u mblodhën. Sërish u futën në dhomën e këshillimit. Sërish dolën pa vendim për çështjen që lidhet me figurën e Belinda Ballukut. Dhe çdo shtyrje e radhës nuk është më procedurë, është mesazh. Mesazh se frika po fiton mbi detyrën.
Kjo nuk është thjesht një çështje individuale apo politike. Kjo është një provë force mes pushtetit dhe drejtësisë kushtetuese. Dhe deri tani, drejtësia po shmang përplasjen nga frika, blerja apo, më keq akoma, kastrimi nga metodat mafioze të superpushtetit të Edi Ramës.
Kur hesht Gjykata, flet pushteti
Një gjykatë kushtetuese nuk ka luksin e pasigurisë publike. Ajo është ndërtuar pikërisht për momentet kur presioni është maksimal. Të paktën të ishit sa 30% e gjyqtarëve të Kushtetueses së Kosovës! Nëse vendimmarrja zëvendësohet me hezitim, atëherë bie vetë arsyeja pse ekziston institucioni dhe pse paguheni me rroga të majme nga taksat që ka vjedhur e shpërdoruar edhe e pandehura Belinda Balluku.
Mosvendimmarrja në raste të tilla është formë vendimi në vetvete, një vendim në favor të atij që ka pushtetin sot. Çdo ditë që kalon pa një qëndrim të qartë, forcon perceptimin se gjyqtarët nuk po peshojnë vetëm ligjin, por edhe pasojat personale të vendimit të tyre.
Kjo është pika ku fillon degradimi institucional: jo nga korrupsioni i provuar, por nga frika e pashprehur.
Një model i rrezikshëm për gjithë sistemin
Kur maja e piramidës së drejtësisë duket e lëkundur, i gjithë sistemi merr sinjalin e gabuar. Gjyqtarët e shkallëve më të ulëta shohin dhe mësojnë: çështjet me kosto politike shtyhen, zbuten, ftohen në kohë derisa të humbasin peshën. Krijohet një kulturë vetëcensure, ku guximi profesional zëvendësohet me llogari personale.
Ky është modeli më i keq që mund të prodhojë një gjykatë kushtetuese.
Sepse drejtësia nuk dështon vetëm kur blihet, dështon edhe kur trembet.
Heshtja procedurale e gjykatës po kthehet në problem më vete. Nuk ka sqarime publike, nuk ka afate të qarta, nuk ka komunikim institucional për një çështje që ka interes të jashtëzakonshëm publik. Kjo mjegull informimi nuk mbron gjyqtarët; përkundrazi, i zhyt më thellë në dyshim.
Një gjykatë kushtetuese nuk duhet vetëm të jetë e pavarur, duhet edhe të duket e tillë. Sot, ajo po duket e rrethuar nga Balluku-Rama.
Në fund mbetet vetëm një pyetje
Jo kush do të fitojë politikisht.
Jo kush do të dëmtohet.
Por: a kemi Gjykatë Kushtetuese?
Nëse institucioni që duhet të mbrojë Kushtetutën nuk arrin të përballojë presionin, atëherë mesazhi për gjithë vendin është i qartë, ligji vlen, por vetëm kur nuk shqetëson pushtetin.
Në këtë klimë, problemi nuk është vetëm një emër apo një çështje konkrete. Problemi është besimi publik. Dhe kur besimi tek Gjykata Kushtetuese është katandisur në këtë farë derexheje, këtu e ka marrë ferra uratën që nga themeli i shtetit ligjor. Ndaj ky montazh i shkon Kushtetueses! Tani ajo mund të quhet pa frikë Kushtetuesja e Edi Ramës!
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



