Gjykata liron nga qelia ish-kandidatin e PS Daniel Gjura
Ish-zëvendësdrejtori i Kadastrës në Dibër, Daniel Gjura, është lënë i lirë nga paraburgimi pas një vendimi të fundit të Gjykatës së Shkallës së Parë në këtë qytet, e cila ka vendosur ndryshimin e masës së sigurisë ndaj tij.
Vendimi është marrë nga gjyqtarja Enkeleda Halilaj, e cila ka pranuar pjesërisht kërkesën e organit të akuzës për lehtësimin e masës. Në vend të “arrestit në burg”, që ishte caktuar më 17 qershor 2026, ndaj Gjurës janë vendosur masa më të buta sigurie.
Konkretisht, gjykata ka urdhëruar që ai të jetë nën “detyrim paraqitjeje” pranë Policisë Gjyqësore, si dhe i është ndaluar të largohet jashtë territorit të Shqipërisë. Sipas vendimit, Gjura duhet të paraqitet në Drejtorinë Vendore të Policisë Dibër çdo të hënë të dytë të muajit, në orën 12:00.
Lirimi i tij është bërë me kusht që ndaj tij të mos jetë në fuqi ndonjë tjetër masë sigurie apo vendim penal.
Daniel Gjura, i cili më herët ka qenë edhe kandidat për deputet nën siglën e Partisë Socialiste, u arrestua në mbrëmjen e 7 korrikut pasi ishte shpallur në kërkim nga autoritetet. Ai akuzohet për “mashtrim” dhe “falsifikim dokumentesh”, vepra të dyshuara se janë kryer në bashkëpunim.
Arrestimi i ish-zyrtarit erdhi në një kohë kur strukturat e policisë në Dibër kishin ndërmarrë një operacion për goditjen e një skeme të dyshuar të tjetërsimit të pronave, ku në hetim janë përfshirë edhe zyrtarë të tjerë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



