E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Goditet “Call Center” në Tiranë, e  pësojnë 38 punonjës
Lajme

Goditet “Call Center” në Tiranë, e pësojnë 38 punonjës

Një tjetër skemë mashtrimi financiar përmes call center-ave është zbuluar në Tiranë, ku dyshohet se përmes telefonatave mashtruese u janë marrë para qytetarëve nga vende të ndryshme të Bashkimit Europian.

Sipas burimeve zyrtare nga Policia e Shtetit, është arrestuar administratori i call center-it, Kejsi Përgjegji, si dhe një tjetër person i përfshirë në aktivitetin e dyshuar kriminal, Marjus Hysa, të cilit gjatë kontrollit i është sekuestruar një shumë e konsiderueshme parash.

Ky call center, sipas hetimeve paraprake, mashtronte qytetarët duke i joshur të investonin në bursa të huaja, duke përdorur emra dhe platforma të rreme financiare. Qytetarët josheshi me premtime për fitime të shpejta dhe të larta, por në fakt ishin viktima të një skeme të mirëorganizuar mashtrimi.

Gjithashtu, autoritetet kanë bërë me dije se janë nën hetim penal 38 punonjës të tjerë të këtij subjekti, të cilët dyshohet se ishin të përfshirë në aktivitetin e paligjshëm.

Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrjetit të përfshirë dhe për identifikimin e kontakteve ndërkombëtare që mund të kenë bashkëpunuar në këtë skemë.

NJOFTIMI I POLICISE

Finalizohet operacioni policor i koduar “SCAMS”. Operacioni u organizua nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare në Departamentin për Policinë Kriminale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

Gjatë operacionit, u godit një tjetër Call Center në Tiranë, që shërbente për të mashtruar qytetarët evropianë, duke i bindur të investonin në bursa fiktive. Në pranga u vu administratori i subjektit, ku u gjetën 65210 euro. Gjithashtu, në pranga u vu edhe një shtetas tjetër, te cilit në banesë iu gjetën 41500 euro dhe 700.000 lekë të rinj, të cilat dyshohet se janë përfituar nga veprimtaria kundraligjshme. Procedohen penalisht 38 shtetas të punësuar në call center.

Janë sekuestruar gjithsej 106710 euro dhe 700.000 lekë të rinj, 51 njësi kompjuterike, 14 aparate celular, lista me emrat e klientëve dhe shumave të përfituara, etj. Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme për goditjen e krimeve ekonomike dhe financiare, bazuar në informacionet e marra se në rrugën “Bardhok Biba”, në një subjekt të licencuar për marketing, suport dhe konsulence në çdo veprimtari të ligjshme në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe jashtë saj, po ushtrohej veprimtari e kundraligjshme e Call Centerit me qëllim mashtrimin e qytetarëve evropianë, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “SCAMS”.

Në kuadër të operacionit, specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare në DPPSH, me mbështetjen e Forcës së Posaçme “Shqiponjat” në DVP Tiranë, kanë ushtruar kontroll në ambientet e një subjekti me administrator shtetasin K. P., 28 vjeç, banues në Tiranë. Gjatë kontrollit u konstatuan 38 operatorë, të cilët dyshohen se mashtronin qytetarë në vende të ndryshme të Evropës për të investuar në bursa fiktive. Në ambientet e subjektit u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale: 65210 euro pa dokumentacion për vërtetimin e burimit; lista e emrave që i ishte vendosur çdo operatori në momentin e prezantimit me viktimën; lista e shumave që secili operator kishte përvetësuar me anë të mashtrimit; lista e objektivave të vendosura nga menaxherët dhe bonuset që merrnin operatorët në bazë të objektivave, ku për muajin tetor ishte 1.5 milionë euro; 51 njësi kompjuterike dhe 14 aparate celular.

Në vijim të operacionit, janë ushtruar kontrolle në banesat e bashkëpunëtorëve të afërt të shtetasit K. P., dhe nga kontrollet u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 41500 euro dhe 700.000 lekë të rinj në banesën e shtetasit M. H., 38 vjeç, pa dokumentacion të burimit të të ardhurave.

Në përfundim të veprimeve të para hetimore, u arrestuan në flagrancë shtetasit K. P. dhe M. H. Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë për veprime të mëtejshme hetimore për veprat penale “Mashtrim me pasoja të rënda”; “Punësim i paligjshëm”; “Fshehje të ardhurash”; “Mospagim i taksave dhe tatimeve”; dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.