Goditet ‘Call Centeri’ në mes të Tiranës, 4 në pranga dhe 1 në kërkim
Sekuestrohen kompjuterë, laptopë dhe 19 telefona
Një tjetër rast i dyshuar mashtrimi përmes platformave online është goditur nga Policia e Tiranës, në kuadër të operacionit të koduar “INVESTING”.
Operacioni është zhvilluar nga specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare të DVP Tiranë, në bashkëpunim me strukturat e Krimeve Kibernetike dhe Forcës së Posaçme Operacionale, nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës.
Hetimi është bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, si dhe në një sërë veprimesh hetimore e procedurale.
Gjatë ndërhyrjes në një ambient në rrugën e Kavajës, të përshtatur me poste pune, efektivët kanë kapur në flagrancë pesë persona, të cilët dyshohet se mashtronin shtetas të vendeve të ndryshme të Bashkimit Europian përmes platformave online.
Në ambient u gjetën shtetasit E. Xh., G. N., E. D., E. H. dhe E. A.
Sipas hetimeve paraprake, ambienti ishte në pronësi të shtetasit T. B., i cili dyshohet se, në bashkëpunim me personat e mësipërm, e administronte atë për zhvillimin e kësaj veprimtarie.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore, Policia arrestoi:
- E. Xh., 40 vjeç;
- G. N., 42 vjeç;
- E. D., 32 vjeç;
- E. H., 31 vjeç.
Ndërkohë, shtetasi T. B., 45 vjeç, u shpall në kërkim, ndërsa shtetasja E. A., 23 vjeçe, po procedohet në gjendje të lirë.
Gjatë kontrollit në ambientin e dyshuar si qendër e aktivitetit, Policia sekuestroi në cilësinë e provës materiale 13 njësi kompjuterike, 19 aparate celularë, 7 laptopë, si dhe materiale të tjera që dyshohet se lidhen me veprimtarinë e paligjshme.
Hetimet po vijojnë në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës, me qëllim dokumentimin e plotë të aktivitetit dhe përcaktimin e përgjegjësive të personave të përfshirë.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



