E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Goditet një tjetër call center mashtrues në Tiranë, dy të arrestuar
Lajme

Goditet një tjetër call center mashtrues në Tiranë, dy të arrestuar

Një tjetër rast i mashtrimit ndërkombëtar përmes call center-ave është goditur në Tiranë, ku autoritetet kanë zbuluar një skemë të mirëorganizuar për përfitime të paligjshme përmes investimeve të rreme në bursa.

Operacioni, i koduar “Fasada”, u zhvillua nga strukturat e Policisë së Shtetit, konkretisht nga Sektori për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Tiranë. Gjatë ndërhyrjes, forcat e rendit zbarkuan në një apartament në rrugën “Sulejman Delvina”, i përshtatur si call center, ku u kapën në flagrancë administratorët dhe operatorët që ushtronin aktivitetin e paligjshëm.

Në pranga përfunduan Argest Rushi, 44 vjeç, dhe Leonard Maksutaj, 26 vjeç, të cilët administronin ambientin dhe organizonin skemën mashtruese. Ndërkohë, 12 operatorë të tjerë u proceduan në gjendje të lirë, pasi u kapën gjatë kohës që komunikonin me shtetas të huaj për t’i bindur të investonin në platforma fiktive.

Nga veprimet hetimore rezultoi se ambienti ishte marrë me qira nga njëri prej administratorëve dhe ishte kthyer në një qendër të mirëfilltë mashtrimi financiar. Gjatë kontrollit, policia sekuestroi 19 njësi kompjuterike, 2 telefona celularë dhe një pajisje DVR, të cilat dyshohet se janë përdorur për realizimin e aktivitetit kriminal.

Sipas hetimeve paraprake, operatorët përdornin metoda të sofistikuara komunikimi për të krijuar besim te viktimat dhe për t’i nxitur ato të investonin shuma të konsiderueshme në bursa që në fakt nuk ekzistonin.

Autoritetet bëjnë me dije se, në bashkëpunim me Prokurorinë, hetimet vijojnë për të dokumentuar plotësisht këtë rrjet dhe për të identifikuar persona të tjerë të përfshirë.

Ky operacion është pjesë e një serie goditjesh ndaj aktiviteteve të paligjshme në fushën e mashtrimeve financiare, ndërsa policia thekson se mbetet e angazhuar për të luftuar këtë fenomen dhe për të mbrojtur qytetarët, si brenda ashtu edhe jashtë vendit.

Njoftimi i policisë:

Goditet një tjetër rast i mashtrimit ndërkombëtar nëpërmjet bursave fiktive.

Zbulohet gjatë operacionit policor të koduar “Fasada” një apartament i kthyer në call center.

Operacioni nga Sektori për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Tiranë.

Vihen në pranga 2 shtetas, të cilët administronin ambientin e përshtatur për call center, përmes të cilit mashtronin shtetas të huaj për të investuar në bursa fiktive.

Procedohen në gjendje të lirë 12 shtetas (operatorë).

Sekuestrohen 19 njësi kompjuterike, 2 aparate celularë dhe 1 DVR.

Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare të DVP Tiranë, pas informacioneve të siguruara së fundmi, kanë organizuar dhe finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Fasada”.

Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kanë ndërhyrë në apartamentin në rrugën “Sulejman Delvina”, i cili ishte përshtatur si call center, ku kanë kapur në flagrancë shtetasit A. R. dhe L. M., si dhe 12 operatorë, të cilët mashtronin shtetas të huaj për të investuar në bursa fiktive.

Nga hetimet rezultoi se apartamenti ishte marrë me qira nga shtetasi A. R., i cili, në bashkëpunim me shtetasin L. M., e administronte këtë ambient me qëllim zhvillimin e kësaj veprimtarie të kundërligjshme.

Në përfundim të veprimeve të para hetimore u vunë në pranga shtetasit A. R., 44 vjeç, dhe L. M., 26 vjeç, administratorë të ambientit.

Si dhe u proceduan penalisht 12 shtetas, operatorë, të cilët u kapën në flagrancë në apartament, gjatë ndërhyrjes nga Policia.

Në bashkëpunim me Prokurorinë vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj veprimtarie të paligjshme.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Policia e Shtetit mbetet e vendosur për të goditur çdo formë të kriminalitetit, në bashkëpunim me agjencitë ligjzbatuese, si dhe për të mbrojtur qytetarët, brenda dhe jashtë vendit.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.