Goditet rrjeti i heroinës Shqipëri-Danimarkë, SPAK zbardh detaje
Ekzekutohen dy masa sigurie
Një tjetër goditje ndaj krimit të organizuar ndërkombëtar është finalizuar nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, e cila ka zbuluar një rrjet të strukturuar që merrej me trafikimin dhe shpërndarjen e heroinës mes Shqipërisë dhe Danimarkës.
Hetimi ka marrë shkas nga një procedim penal i nisur nga autoritetet daneze në gusht të vitit 2023, i koduar “Operacioni Bacchus”, ku në fokus ishte një grup i përbërë nga shtetas shqiptarë dhe të huaj, të përfshirë në transportimin e lëndëve narkotike drejt tregut danez.
Sipas të dhënave hetimore, aktiviteti i paligjshëm është zhvilluar përgjatë periudhës 1 tetor 2023 – 23 janar 2024, i ndarë në shtatë episode të dokumentuara. Gjatë kësaj kohe, anëtarët e grupit kanë siguruar hyrjen e heroinës në Danimarkë përmes territorit suedez.
Për të rritur fitimet, substanca narkotike përpunohej më tej duke u përzier me elementë të tjerë si paracetamol dhe kafeinë, përpara se të hidhej në treg për shitje.
Nga hetimet e përbashkëta të zhvilluara nga autoritetet shqiptare dhe daneze, është bërë i mundur identifikimi i disa personave të përfshirë në këtë aktivitet. Në Danimarkë janë proceduar tre persona, ndërsa në Shqipëri janë identifikuar dy shtetas të tjerë.
Në vendin tonë, janë zbatuar masa sigurie për shtetasit Marsel Liçaj (i njohur edhe me alias “Grembi”) dhe Ermal Liçaj, të dyshuar për përfshirje në veprimtari të lidhura me prodhimin dhe shitjen e narkotikëve në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal.
Operacioni është realizuar në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet daneze dhe Byronë Kombëtare të Hetimit, ndërsa hetimet vijojnë për të zbuluar persona të tjerë që mund të jenë pjesë e këtij rrjeti.
Njoftimi i SPAK:
“Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka kërkuar në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë caktimin e masave të sigurimit ndaj dy shtetasve M. L., (alias G.,) dhe E. L, në kuadër të procedimit nr.55 të vitit 2024, për veprat penale:
“Prodhim dhe shitje e narkotikëve”, e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 283/1 dhe 28/4 të Kodit Penal, në lidhje me nenin 334/1 të Kodit Penal “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale ose grup i strukturuar kriminal”;
“Grup i strukturuar kriminal”, kryer në formën e pjesëmarrjes, parashikuar nga neni 333/a/2 i Kodit Penal.
Pas kërkesës së paraqitur nga Prokuroria e Posaçme, Gjykata me vendimin e saj nr. 28, datë 14.5.2026 vendosi caktimin e masës të sigurimit personal me karakter shtrëngues “arrest në burg” parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale për shtetasin M. L., (alias G.), si dhe masat e sigurimit personal “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” dhe “Ndalimi i daljes jashtë shtetit” të parashikuara nga nenet 234 dhe 233 të Kodit të Procedurës Penale, për shtetasin E. L.
Hetimet lidhur me këtë procedim penal u realizuan në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet e drejtësisë daneze dhe Byronë Kombëtare të Hetimit (BKH).
Autoritetet daneze, në muajin gusht të vitit 2023 kanë regjistruar procedimin penal nr. 0100-71282-00102-23 – “Operacioni Bacchus”. Në hetim ishte një grup shtetasish shqiptarë dhe të huaj, të cilët në kuadër të grupit të strukturuar kriminal kanë zhvilluar aktivitetin kriminal të trafikimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike të llojit heroinë në Mbretërinë e Danimarkës.
Kjo veprimtari është shtrirë nga 1 tetor 2023 deri më 23 janar 2024, në 7 episode, gjatë të cilëve, anëtarët e grupit kriminal kanë importuar në Mbretërinë e Danimarkës heroinë përmes shtetit kufitar të Suedisë. Lënda narkotike e trafikuar, përgatitej për shitje në tregun danez, e përzierë me lëndë të tjera si paracetamol dhe kafeinë, me qëllim maksimizimin e fitimeve.
Nga hetimet paralele të kryera nga prokuroritë e dy vendeve, deri në këto momente është bërë e mundur identifikimi, procedimi në Danimarkë i 3 personave (dy shtetas shqiptarë dhe një i huaj), ndërsa në Shqipëri është mundësuar identifikimi i 2 (dy) shtetasve të tjerë shqiptarë, të cilët ishin të përfshirë në aktivitetin e paligjshëm kriminal në fushën e prodhimit dhe shitjes së narkotikëve.
Më 14.5.2026, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ka bërë të mundur ekzekutimin e masave të sigurimit personal për të dy shtetasit në hetim.
Ndërkohë, hetimet vazhdojnë për administrimin e provave lidhur me implikimin e personave të tjerë, të cilët dyshohet se janë përfshirë në këto veprimtari të paligjshme kriminale.
Prokuroria e Posaçme falenderon autoritetet e drejtësisë daneze si dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit për mbështetjen e treguar.”
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



